Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shiffrini vazhdon dominimin

Skitarja amerikane, Mikaela Shiffrin, ka dominuar në sllallom të shtunën në Spindleruv Mlyn të Republikës së Çekisë dhe e ka shënuar fitoren e 85-të në karrierë.

Me triumfin e së shtunës, Shiffrin i afrohet në vetëm një fitore rekordit në Kupë të Botës, të vendosur nga skitari i madh suedez, Ingemar Stenmark, në vitet e 80-a, ka shkruar “Associated Press”.

Këtë rekord, skitarja amerikane mund ta barazojë me një tjetër fitore të dielën në sllallom. Ajo ndante rekordin me 82 fitore bashkë me Lindsey Vonnin, por triumfoi në dy gara rresht të sllallomeve të mëdha në Itali këtë javë, ndërsa të shtunën e realizoi fitoren e tretë rresht.

Amerikania e la prapa një gabim të hershëm në lëshimin e dytë dhe e shënoi kohën më të shpejtë në të dyja lëshimet. E mposhti gjermanen Lena Duerr, me 0.60 sekonda.

Skitarja nga Zvicra, Wendy Holdener, zuri vendin e tretë, me 1.31 sekonda vonesë.

Shiffrini ka fituar pesë nga tetë gara të sllallomit këtë sezon dhe në renditjen e kësaj disipline, prin ndaj Holdenerit me 175 pikë më shumë. Ajo mund ta fitojë titullin nëse ka epërsi prej 200 e më shumë pikëve, pas garës të së dielës.

Në përgjithësi, Shiffrin ka fituar 11 gara këtë sezon. Vetëm dy herë në tërë karrierën e saj ajo ka fituar më shumë gara brenda një edicioni.

Në edicionin 2017/18 kishte fituar 12 gara, ndërsa rekordin e mban në sezonin 2018/19, kur kishte fituar 17 gara.

Në garat e Kupës së Botës, Shiffrini ka debutuar si 15-të vjeçare, rreth 12-të vjet më parë.

Artikuj të ngjashëm