Skitarja amerikane Mikaela Shiffrin nuk priti shumë për ta shtuar rekordin e saj të fitoreve në Kupën e Botës në skijimin alpin. Një ditë pasi siguroi fitoren e 83-të duke vendosur rekord, Shiffrin të mërkurën regjistroi edhe fitoren e 84-t në një tjetër sllallom të madh. Dhe, ashtu siç bëri të martën, Shiffrin udhëhoqi nga fillimi deri në fund, duke dominuar në lëshimin e parë të shtegut të pjerrët Erta dhe më pas duke shtuar avantazhin e saj në lëshimin e dytë. Shiffrin përfundoi me 0.82 sekonda përpara fitueses së dy medaljeve të argjendta olimpike, Ragnhild Mowinckel, dhe 1.19 sekonda para kampiones olimpike Sara Hector. Kur Shiffrin arriti në fund pas lëshimit të dytë, ajo u rrëzua në dëborë përpara se Mownickel dhe Hector të shkonin për ta uruar dhe për ta ndihmuar të ngrihej.
“Oh Zot”, tha Shiffrin. “Po shtyja aq fort dhe thjesht shpresoja që të përfundoja në anën e djathtë të gjitha portave. Tani jam pak e vdekur mendërisht dhe shumë e lodhur. Por, kur skijon në atë mënyrë, atëherë ke energji dhe një ndjenjë të pabesueshme për të shkuar shpejt”.
Ndërsa fitorja e së martës e çoi Shiffrinin në rekord të femrave, i cili mbahej nga Lindsay Vonn me 82 fitore, triumfi i së mërkurës e afroi atë në vetëm dy fitore larg rekordit të përgjithshëm - midis meshkujve dhe femrave – që e mban suedezi Ingemark Stenmark me 86 fitore. Vonn është tërhequr nga skijimi katër vjet më parë kur lëndimet ia ndërprenë karrierën, ndërsa Stenmark garoi në vitet ‘70 dhe ‘80. Nëse Shiffrin fiton dy sllallomet e ardhshme në Spindleruv Mlyn, Republika Çeke, këtë fundjavë, ajo mund të barazojë rekordin e Stenmarkut të dielën.
“Teknikisht, është e mundur”, pranoi Shiffrin. “Do të shohim nëse mund të vendos energjinë në skitë e mia të sllallomit për dy gara të tjera. Edhe pse jam e lodhur, do të tentoj barazimin e rekordit të përgjithshëm”.
Resorti Spindleruv ishte vendi ku Shiffrin bëri debutimin e saj në Kupën e Botës në skijim aplin si një shpresë e madhe para 12 vjetësh, kur ishte vetëm 15-vjeçare.
“Është një vend i veçantë për mua”, tha ajo. “Kështu që mezi pres të shkoj dhe të skijoj”.
Ish-kampionia e sllallomit të madh në Kupën e Botës, Marta Bassino, ishte në rrugën e duhur për të përfunduar në podium të mërkurën, por ajo e humbi kontrollin disa porta para fundit dhe mbeti jashtë. Ishte kjo fitorja e 10-të e sezonit për Shiffrinin dhe fitorja e saj e 19-të në karrierë në sllallomin e madh, duke bërë që amerikania t’i afrohet edhe një rekordi të vendosur nga Vreni Shneider prej 20 fitoresh në këtë disiplinë. Shiffrin tha se nuk ka pritur të triumfojë të mërkurën, pasi të martën qëndroi deri natën vonë duke e festuar thyerjen e rekordit.
Edhe
Shiffrin shpreh respektin për legjendën Stenmark pasi barazoi rekordin e tij
“Ishte një mbrëmje e bukur pasi me erdhën shumë mesazhe nga njerëzit dhe ishte një ndjenjë fantastike. Padyshim që i shikova të gjitha mesazhet dhe shkova vonë në shtrat. U zgjova disa herë gjatë natës dhe nuk besoja se mund të fitoja për shkak se isha e lodhur”, shtoi ajo.
Megjithatë, Shiffrin arriti ta marrë veten para garës, në mënyrë që sërish të nxirrte në pah skijimin e saj më të mirë.
“Nuk e pata aspak lehtë dhe isha nervoze. E kur jam në gjendje të tillë, zakonisht bëj gabime të shumta. Këtë herë, nuk doja ta bëja ndonjë gabim dhe ia dola mbanë përkundër frikës që e kisha”, u shpreh Shiffrin. “Në lëshimin e parë kam pritur të dal në portën e katërt ose të bëjë një lëshim të mirë. Pasi e përfundova mirë lëshimin e parë, në të dytën dhashë gjithçka nga vetja dhe arrita fitoren që është diçka fantastike”.