Pak momente pasi fitoi garën e 86-të në Kupën e Botës në skijim alpin, me të cilën barazoi rekordin, Mikaela Shiffrinit iu kërkua nga një transmetues suedez t'i drejtohej Ingemar Stenmarkut, skitarit të shquar që kishte premtuar të shikonte amerikanen nga shtëpia në televizion.
27-vjeçarja amerikane i foli suedezit 66-vjeçar për respektin e saj për të dhe për shenjën historike që ai la në vitin 1989, që mendohej prej kohësh të ishte e paarritshme.
“Pavarësisht se çfarë bëj unë, nuk krahasohet kurrë me atë që keni arritur”, tha Shiffrin para kamerës së “TV6”. “Ndoshta e marr fitoren e 87-të, ndoshta jo. Por për mua ëndrra më e madhe është të përmendem në të njëjtën fjali si ju”.
Skitarja amerikane, Shiffrin, barazoi rekordin e suedezit legjendar kur të premten triumfoi në garën e sllallomit të madh. Ajo mund të thyejë rekordin të shtunën në garën e sllallomit. Sllallomi është specialiteti i Shiffrinit, ashtu siç ishte edhe i Stenmarkut në vitet 1970 dhe 1980.
Nderimi mes tyre është i dyanshëm. Stenmark tha në një intervistë muajin e kaluar se Shiffrin është “shumë më i mirë se unë”. Shiffrin ishte padyshim e mirë të premten, veçanërisht në lëshimin e parë që ishte platformë për një tjetër fitore dominuese në karrierën e saj historike. Koha e saj ishte më shumë se një sekondë më e shpejtë se e rivaleve të amerikanes dhe përfundimisht e la atë me një avantazh prej 0.58 sekondash për t'u mbrojtur në lëshimin e dytë.
“Është një nga lëshimet e pakta në jetën time ku, ndërsa isha duke skijuar, mendoja se kjo është mirë dhe mendoja për barazimin e rekordit”, tha Shiffrin.
Shiffrin pasi e kaloi vijën e finishit, ngriti duart dhe pastaj tundi kokën duke mos besuar atë që e ka arritur.
“Kjo është vetëm një ditë spektakolare. Oh Zoti im”, tha ajo.
Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për Shiffrinin në sllallomet e mëdha të Kupës së Botës në skijim alpin që nga janari. Ajo mori edhe medaljen e artë në kampionatin botëror të muajit të kaluar në Meribel, Francë. Fitorja e 86-të e Shiffrinit erdhi në garën e saj të 245-të të Kupës së Botës dhe në përpjekjen e pestë për të barazuar rekordin e Stenmarkut, që kur ajo fitoi garën e 85-të në janar.
“Ka qenë në mendjen time. Ka qenë mjaft e vështirë të fokusohesha javët e fundit”, tha Shiffrin, e cila përqafoi nënën dhe trajneren e saj, Eileen, në zonën e finishit.
Federica Brignone, që doli e dyta, bëri një përkulje para Shiffrinit. Në podium ishte edhe kampionia olimpike, Sara Hector e Suedisë, e cila përfundoi në vendin e tretë. Shiffrin fitoi gjithashtu titullin e sllallomit të madh të Kupës së Botës për të siguruar trofeun e 15-të të globit prej kristali në karrierë. Ajo tashmë fitoi titullin e pestë të përgjithshëm të Kupës së Botës dhe titullin e sllallomit këtë sezon.
Shifrrin bëri edhe më shumë histori të Kupës së Botës të premten, pasi kjo ishte fitorja e 20-të e saj në karrierë në sllallom të madh - gjashtë prej tyre këtë sezon – duke barazuar rekordin e të gjitha kohërave për skitare të mbajtur nga Vreni Schneider.
Schneider mori fitoret e saj midis viteve 1984 dhe 1992. Skitarja zvicerane, si Shiffriin, ka medalje të arta olimpike dhe botërore në sllallom të madh dhe sllallom. Shiffrin fitoi garën e saj të parë të Kupës së Botës në Are në dhjetor të vitit 2012, dhe më pas fitoi dy medalje të arta në vitin 2019 në resortin suedez. Ishte gjithashtu vendi ku ajo duhej të garonte sërish në mars të vitit 2020 pas vdekjes së babait të saj muajin paraprak, por garat u anuluan për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Kam pasur shumë përvoja të ndryshme këtu”, tha Shiffrin. “Kam ndier gjithçka që mund të ndieni këtu, kështu që është e veçantë të kthehem në këtë mënyrë triumfale”.