Skitares amerikane, Mikaela Shiffrin, i është mohuar për fare pak fitorja në garën e së dielës në sllallom, në Çeki. Shiffrin është një fitore larg për të barazuar rekordin e skitarit legjendar nga Suedia, Ingemar Stenmark, për më së shumti triumfe në Kupën e Botës në skijim alpin.
Ylli 27-vjeçar nga SHBA-ja, Shiffrin, ka udhëhequr për 0.67 sekonda ndaj gjermanes Lena Duerr pas lëshimit të parë. Atë lëshim, Shiffrin e ka vlerësuar si “perfekt”. Por Shiffrin nuk ishte në gjendje të përballonte lëshimin e dytë të Duerrit. Gjermanja e kaloi për 0.06 sekonda amerikanen për të fituar medaljen e artë. Shiffrin fitoi medaljen e argjendtë.
Kroatja Zrinka Lutiq mbeti 0.49 sekonda prapa Duerrit dhe fitoi medaljen e bronztë në Spindleruv Mlyn në Çeki. Është ky një resort skijimi afër kufirit me Poloninë, ku Shiffrin kishte debutuar në Kupën e Botës në skijim alpin si 15-vjeçare në vitin 2011.
Shiffrin hyri në garën e së dielës pas serisë prej tri fitoreve. Ajo ka fituar nëntë prej 14 garave të fundit. Por ishte Duerr që festoi në fund. Ajo është gjermanja e parë që ka fituar garë të sllallomit në Kupën e Botës që kur këtë e kishte bërë Maria Hoefl-Riesch në nëntor të vitit 2012.
Të martën Shiffrin fitoi garën e 83-të të saj për të kaluar rekordin që e mbante Lindsey Vonn, amerikanja tjetër. Vonn u pensionua me 82 fitore në Kupën e Botës. Ylli më i madh i skijimit, Shiffrin, shënoi fitoren e 84-t të mërkurën dhe të 85-të të shtunën, për t’iu afruar rekordit të dy gjinive që e mban Stenmark. Asi i sllallomit dhe sllallomit të madh, Stemark, mban rekordin me 86 fitore në Kupën e Botës që prej viteve 1980-ta.
Shiffrin tani duhet të pres disa javë për tentimin e radhës për të barazuar rekordin e Stenmarkut. Garat e Kupës së Botës nuk zhvillohen për disa javë për shkak të Kampionatit Botëror që mbahet muajin tjetër. Stinori i Kupës së Botës, që është seri garash, vazhdon më 25 shkurt me lëshim dhe Super-G në Crans-Montana të Zvicrës.
Suedezi Stenmark parashikoi vitin e kaluar se Shiffrin do të kaloi shifrën e 100 fitoreve. Amerikanja ka bërë të ditur se planifikon të skijojë të paktën deri pas Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2026.
Edhe
Shiffrini vazhdon dominimin
“Muaji i fundit ishte i ngarkuar. Kishte aq shumë gara mahnitëse, nuk kam pritur të fitojë në secilën. Nuk kam pritur që të kem dhjetë fitore deri më tani në këtë stinor. Pas garës së djeshme dhe pas lëshimit të parë jam ndier mahnitshëm. Në lëshimin e dytë ndoshta nuk kam rrezikuar mjaftueshëm për të shënuar fitore. Por të dal e dyta dhe të sigurojë globin e sllallomit, është e mahnitshme për mua”, ka thënë Shiffrin.
Me vendin e dytë në Çeki, Shiffrin ka siguruar titullin e Kupës së Botës në disiplinën e sllallomit.
Botërori i skijimit mbahet në Francë prej 5 deri më 19 shkurt.