Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala, ka thënë se përgjegjësinë për disfatën nga Gjilani të shtunën në Gjilan, 1:0, e merr ai.
Ai ka thënë se ka bërë ndryshim në skemën e lojës dhe ka dashur të mbrohej më shumë.
“Ndoshta është ndeshja më e dobët që e kemi luajtur, më së paku që kemi krijuar, si me lojë ashtu edhe me raste. Edhe sistemi i lojës ka qenë më defansiv sepse kemi ardhur të mbrohemi dhe t’i presim gabimet e Gjilanit. Humbjen e marrë personalisht, sepse kam rrezikuar në ndryshimin e sistemit. Në ndeshjet e kaluara kemi krijuar më shumë dhe kemi dominuar. U mundova ta befasoja kundërshtarin por nuk doli ashtu. Në aspektin individual, shumica e lojtarëve nuk ishin në formën më të mirë. Këtë fond të lojtarëve e kam zgjedhur vetë me aq sa kemi mundur t’i afrojmë. Kam qenë i kënaqur deri tani me lojë, por jo edhe me rezultate. Në janar mund të ketë transferime të reja”, ka thënë trajneri Shala për “ArtMotion” pas ndeshjes.