Sport

Sfidat e Sara Susurit dhe të atletëve të tjerë prizrenas

Sara Susuri dhe atletët e tjerë të klubit Prizreni po bëheshin gati për stërvitjen e së hënës. Vendi ku do të kryenin stërvitjen dhe ku do të vazhdojnë të ushtrojnë për një kohë të gjatë është parku i qytetit.

Pak metra larg shtegut me dy korsi për ecje, të cilin atletët e shfrytëzojnë për stërvitje, është një verandë, të cilën atletët e shfrytëzojnë për t’i lënë pajisjet.

E para që doli në shteg për të nisur vrapimin ishte Sara. 17-vjeçarja ishte edhe sportistja e parë nga Kosova që garoi në një ngjarje të organizuar në Serbi. Ajo garoi në vrapim 60 metra në Kampionatin Ballkanik U20 në palestër, që u mbajt javë më parë në Beograd.

Doli e gjashta prej shtatë vrapueseve sa ishin gjithsej. Sara Susuri thotë se rezultati nuk ishte i kënaqshëm. Por ndihet e lumtur që ajo dhe atletët e tjerë të Kosovës përfaqësuan vendin në ngjarje në Serbi.

Në listë për të marrë pjesë ka qenë edhe Armel Qovanaj, kampion i Kosovës për seniorë. Por nuk ka udhëtuar për në Beograd me arsye. Në cilësinë e selektorit ka qenë trajneri i klubit Prizrenit, Bajram Duja.

“Në aspektin emocional ka qenë një garë me shumë adrenalinë. Gara ka qenë e nivelit të lartë dhe kam pritur një rezultat më të mirë, por për shkak të lëndimit në përgatitje në Ulqin nuk kam arritur ta tregoj veten aq shumë. Por e rëndësishme ishte që ne të ishim në atë garë. Objektivin e kemi arritur dhe besoj se jemi në rregull”, ka thënë atletja e talentuar.

Sara thotë se sfida më e madhe është mungesa e kushteve për stërvitje.

“Mangësia më e madhe dhe që na bën dëm më së shumti është mungesa e një hapësire për t’u stërvitur, por prapë kemi vullnet të madh dhe mundohemi ta tejkalojmë këtë situatë për të ushtruar. Por të gjitha deri tash jemi duke i bërë në kushte shumë të vështira. Kam dëshirë të arrij suksese edhe me këto kushte, por është e vështirë të arrihet Olimpiada me këto kushte”, është shprehur Susuri.

Susuri është kampione e vendit në 60, 100 dhe 200 metra vrapim. Rezultatin më të mirë në 100 metra e ka 12.24 sekonda. Në 200 metra rekordi i saj është 25.97 sekonda, ndërsa në 60 metra mban rekordin shtetëror me kohë prej 8.8 sekonda.

“Si i çdo sportisti edhe synimi im është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike, pasi është diçka e mahnitshme. Do të mundohem dhe do të punoj maksimalisht për ta arritur qëllimin që kam. Shpresoj në ndihmë të Komunës dhe shtetit, sepse pa ndihmën e tyre nuk mund të arrijmë asgjë. Neve na mbetet për t’u stërvitur e institucioneve për të na ndihmuar”, thotë atletja e talentuar.

Trajneri i klubit Prizreni, Bajram Duja, pret që Sara të ketë suksese edhe në 400 metra vrapim.

“Sara për momentin është vrapuesja më e shpejtë në Kosovë në 100 dhe 200 metra. Perspektiva e saj është në 400 metra. Kjo për shkak të kushteve infrastrukturore që i kemi. Do të përgatitemi edhe për distancën 400 metra dhe do të jetë me rezultat fantastik”, ka thënë Duja.

Ai shton se shtegu me dy korsi nuk i plotëson kushtet as për stërvitje. Në fakt atletët patën fat të hënën meqë shtegu nuk ishte i frekuentuar nga qytetarët prizrenas.

“Është një rreth 281 metra i gjatë me kthesa prej 90 shkallësh, që nuk u përshtatet fare stërvitjeve sa i përket sportit të atletikës. Mirëpo ne e kemi gjetur vullnetin dhe forcën. Edhe pse nuk kemi kushte, të cilat janë katastrofë, kemi gjetur vullnetin bashkë me kryesinë dhe me atletët që mos të ndalemi dhe të synojmë rezultate më të mira deri tash”, ka theksuar Duja.

Ai tregon se është një shteg që do të mund t’u shërbente për të zhvilluar stërvitje normale.

“Këtu në Prizren ekziston shtegu i atletikës me katër korsi, i cili është i pashfrytëzuar dhe qe 2-3 vjet po mundohemi të futemi në atë shteg. Por, asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje pozitive. Dy herë kemi aplikuar në GIZ-in gjerman, na kanë kthyer përgjigje negative”, ka thënë ai.

Ai thotë se shtegu nuk është telashi i vetëm. Edhe mbështetja financiare nga Komuna është e vogël. Tregon se janë subvencionuar me 1500 euro. Falë donatorëve dhe kompanive të ndryshme klubi po mbahet gjallë.

Siç tregon trajneri Duja, klubi është i themeluar në vitin 1968, ndërsa nga viti 2009 mban emrin Prizreni. Ai mburret që klubi ka nxjerrë kampionë të Kosovës.

“Deri tash kemi qenë të suksesshëm, me atletë që kanë rekorde kombëtare, kampionë kombëtarë në grupmosha të ndryshme. Sara Susuri, edhe pse në moshën 17-vjeçare, është kampione për seniore në 100 dhe 200 metra. Armel Qovanaj po ashtu nën moshën 18-vjeçare, është kampion i Kosovës në 100 metra për seniorë”, ka thënë Duja.

Kosova ka ende telashe me shtigje të atletikës. Një sallë për gara të atletikës as që duket në horizont.