Skuadrat e Superligës së Kosovës në futboll janë kthyer në stërvitje, ndërsa është caktuar edhe data e rifillimit të kampionatit. Por Genc Sermaxhaj, analist i futbollit, ka thënë se nuk ka kushte për rifillim të edicionit në kampionatin e Kosovës në futboll.
Duke folur në “Interaktiv”, Sermaxhaj ka thënë se brengat e trajnerëve dhe drejtuesve të klubeve lidhur me vazhdim të kampionatit janë të drejta.
“Kemi dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe nga shumë trajnerë, futbollistë dhe persona të klubeve, për atë nëse duhet apo nuk duhet të vazhdojë kampionati. Por sipas mendimit tim nuk janë kushtet e nevojshme që kampionati të rifillojë, ngase ekziston mundësia e madhe që ende të preket dikush nga virusi”, ka thënë Sermaxhaj.
Ai ka folur për lojtarin e Dritës të infektuar nga koronavirusi e i cili nuk është lejuar të hyjë në Kosovë. Sermaxhaj ka thënë se rasti pozitiv te Drita ka ngjallur edhe më shumë dyshime dhe se është rrezik i madh nëse vazhdohet kampionati.
“Me shumë të drejtë po adresohen kërkesa që të merret edhe një vendim zyrtar, por jo i ngutshëm si ky për rifillim të kampionatit, duke ditur që virusi është ende në mesin tonë”, ka thënë ish-futbollisti gjilanas, i angazhuar aktualisht edhe si trajner i të rinjve te Drita.
Edhe
FFK-ja s’parasheh ndërprerje të kampionatit nëse ndonjë lojtar infektohet me COVID-19
Ai ka përsëritur disa herë që nuk preferon që Superliga të vazhdojë, ndërsa mendimin e njëjtë e ka ndarë edhe për ligat tjera, duke përfshirë edhe ato të kategorive të reja.
“Kam dëgjuar që në disa qendra të mëdha do të fillohet me teste të futbollistëve nga nesër. Sa e di unë në Gjilan do të bëhen testimet e para. Në vazhdim do ta bëjnë edhe klubet tjera. Shqetësimi im, dhe me të drejtë i disa klubeve, është që testet të bëhen në vazhdimësi, gjatë kampionatit. Ne nuk kemi kushtet e nevojshme që të vazhdojë kampionati dhe për këtë arsye FFK-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë edhe një herë duhet që të ulen e të analizojnë a jemi në gjende që të rifillojë kampionati. Rasti i fundit me futbollistin e Dritës shqetëson edhe më shumë, ngase është rrezik i madh, lojtarët mund të infektojnë familjarët e tyre, duhet të merret edhe një vendim final që mos të bëhet gabimi i dytë”, ka theksuar Sermaxhaj.
Ai vlerëson se FFK-ja është dashur që në fillim të pandemisë të dal me vendim zyrtar për atë se çka do të ndodhë nëse nuk vazhdohet kampionati. Sipas Sermaxhajt kjo do të ndikonte që mos të krijohen dilema e debate që kanë qenë të shumta ditëve të fundit.
Ai nuk e di nëse klubet do të pranojnë që edicioni të vazhdojë me vetëm një testim të lojtarëve. Thotë se nëse qëndrohet prapa vendimit për vetëm një testim dhe që ndeshjet të luhen, do të jetë shumë rrezik.
Sermaxhaj është i vetëdijshëm që lojtarët kanë provuar të mbajnë formën me stërvitje individuale. Por ai pret që të paraqiten lëndime për shkak të pushimit të gjatë. Ai thotë se pasojat e pushimit të gjatë do të jenë të mëdha.
“Dy apo tri javë stërvitje nuk janë të mjaftueshme, pasi ekipet bëjnë përgatitje një muaj apo më tepër. Kjo kohë e shkurtër mund të sjellë vështirësi për klubet në organizimin e përgjithshëm të tyre. Krejt kjo lidhet me përgatitjen fizike, pastaj koha e shkurtër e orari i ngjeshur, mund të vijë deri te lëndimet”.
Edhe
Një lojtar i Dritës me koronavirus
Ai vlerëson se kampionati mund të vendoset nga përvoja e futbollistëve dhe përgatitja e tyre. Sermaxhaj nuk e përjashton mundësinë që Ballkani të humb pozitën e parë. Por vlerëson se renditja aktuale është korrekte dhe në përputhje me atë që kanë shfaqur skuadrat në fushën e lojës.
“A do të vazhdohet apo jo edicioni, nuk është ende definitive. Nëse vazhdohet, nëpër klube mund të ketë edhe raste tjera. Çka nëse te Drita dalin raste të reja? Apo nëse në vazhdim të edicionit preken futbollistë të tjerë? Mund të vijë te një vendim tjetër i papritur i Federatës për pezullim. Më mirë të merret vendim tani për përfundim apo zgjidhje tjetër e jo të fillojë kampionati e të merret ndonjë vendim që do të dilte problematik”, ka theksuar Sermaxhaj.