Të gjitha 20 klubet e Serie A kanë votuar për të përfunduar edicionin, ndonëse kishte raporte se disa klube ishin kundër kësaj.
Ishte raportuar se Torino dhe Brescia kanë kërkuar të ndërpritet edicioni, duke shkaktuar përplasje në mes të qeverisë, Federatës dhe 18 klubeve tjera.
Por Lega Serie A ka njoftuar të premten se pas një video-konference të mbajtur gjatë ditës është konfirmuar se dëshirë e të gjitha klubeve është që të kompletohet edicioni.
Takimi ishte thirrur për të adresuar çështje që kanë të bëjnë me të drejtat televizive.
Ka pasur kërcënime që edicioni të anulohet nga qeveria nëse Federata e Futbollit të Italisë nuk modifikon protokollin për të përmbushur të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me sigurinë e lojtarëve dhe trajnerëve.
Synimi është që më vonë këtë muaj skuadrat të kthehen në stërvitje kurse edicioni të vazhdojë gjatë qershorit.