Sport

Selmani për KOHËN: Më është shtyrë realizimi i ëndrrës, por nuk më është shuar dëshira që të luaj për Kosovën

Sulmuesi i Hammarbyt, Astrit Selmani, ka thënë se infektimi me koronavirus ia ka pamundësuar grumbullimin për herë të parë me përfaqësuesen e Kosovës. Ai të mërkurën për KOHËN ka thënë se i vjen keq që nuk iu realizua dëshira t’u bashkohet “Dardanëve” për ndeshjet e këtij muaji.

Megjithatë, ai pret të bashkohet në grumbullimin e radhës që Kosova do ta ketë në kuadër të ciklit kualifikues për kampionatin botëror “Katari 2022”. Selmani kishte pranuar ftesë, por ai bashkë me shumë lojtarë të skuadrës suedeze kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirus. Në të vërtetë, Hammarby të martën njoftoi se ka karantinuar gjithë ekipin pasi 16 futbollistë kishin dalë pozitivë. Sulmuesi 24-vjeçar thotë se ardhjen te Kosova ia ka pamundësuar vetëm koronavirusi. Gjithashtu, edhe në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) thuhet se Selmani ka qenë i ftuar por infektimi me koronavirus ia ka pamundësuar që të bashkohet në grumbullimin që nis të hënën.

“Me shëndet jam shumë mirë, por problemi është se edhe unë kam dalë pozitiv në testin për koronavirus. Tashmë dihet që në klub janë shumë lojtarë dhe zyrtarë të klubit të infektuar dhe për shkak të rezultatit pozitiv nuk ka qenë mundësia t’i bashkohem Kosovës. Deri të premten jam në karantinim, ndërsa do të më duhet ta bëj edhe një test tjetër. Më vjen shumë keq që nuk më është bërë puna të vij, por ashtu e ka shkruar Zoti. Do të vijnë ndeshje tjera dhe mundësi të tjera për ta dhënë kontributin tim te Kosova. Shpresoj të vij sa më shpejt në Kosovë. Më është shtyrë ëndrra, por jo dëshira për të luajtur për Kosovën”, ka thënë Selmani për KOHËN.

Sulmuesi i skuadrës elitare të Suedisë, Hammarby, u lind në Malmo të Suedisë, por me rrënjë është nga Mitrovica. Ai nuk ka luajtur ende në nivel përfaqësuesesh. Një gjë të tillë do ta bëjë me Kosovën. Selmani shumë herë ka përsëritur se do të ishte krenar po të luante për përfaqësuesen e Kosovës.

Selmani është zbulim i edicionit 2020 në Allsvenskan të Suedisë. Edicionin e vitit të kaluar 23-vjeçari e ka përfunduar me plot 15 gola e gjashtë asistime. Me të përfunduar sezoni i kaluar në elitën e futbollit të Suedisë u largua nga Varbergsi për t’iu bashkuar Hammarbyt, klub me të cilin nënshkroi kontratë deri në fund të vitit 2024.

Para se të largohej nga Varbergsi, Selmani karrierë ka bërë edhe te skuadrat e tjera suedeze, Torns, Rosengard, Kristianstad, Angelholm dhe BK Olympic.

Me fanellën e Hammarbyt në Kupën e Suedisë, Selmani ka shënuar një gol dhe ka kontribuar me katër asistime.

Selmani është tip tjetër i lojtarit nga sulmuesi në të cilët Kosova është bazuar në vitet e fundit. Është këmbëngulës dhe nuhatës i golit. Ai premton maksimumin në të ardhmen për Kosovën.

“Gjithçka ka qenë gati, edhe dokumentacioni, por vetëm COVID-19 më ka penguar ardhjen. Jam në formë të mirë, ndërsa siç e dini dhe jeni të informuar për takimin që kam pasur me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Suedisë, por unë kam vendosur të luaj për Kosovën dhe këtë ua kam bërë me dije edhe atyre”, është shprehur Selmani.

Kosova të hënën do ta nisë grumbullimin ku në mbrëmje do ta mbajë stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Këtë muaj Kosova do t’i luajë tri ndeshje, dy në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit të ardhshëm dhe një tjetër miqësore. Më 24 mars në Prishtinë luan miqësoren kundër Lituanisë kurse katër ditë më vonë, në të njëjtin stadium, do të përballet me Suedinë në kuadër të Grupit B eliminator. Ndaj Spanjës, Kosova luan më 31 mars në Sevilla.