Astrit Selmani pranon se nuk i ka përmbushur pritshmëritë në vitin e tij të parë te skuadra e Hammarbyt. Pranon se ka mundur të shënonte më shumë gola. Por, ai e cilëson vitin 2021 si një vit të mbarë. Ka numëruar madje sukseset e tij. Ndër sukseset që i ka arritur Selmani e ka futur edhe debutimin te Kosova. Ai gjithashtu e fitoi edhe Kupën e Suedisë me Hammarbyn.
“Fituam Kupën, luajtëm në Evropë dhe debutova me Përfaqësuesen e Kosovës. Kishte më shumë ndeshje sesa isha mësuar. Mendoj se kam qenë në dispozicion për 44 ndeshje për klubin, në fushë ose në bankën e rezervistëve”, tha Selmani për sukseset e tij të mërkurën për “footbollskanalen.se”.
Në 33 ndeshje të luajtura në kampionat dhe Kupë të Suedisë, Selmani shënoi dhjetë gola dhe pati po aq asistime. Por, pritjet ishin shumë më të mëdha. Këtë e pranon edhe vetë sulmuesi 24-vjeçar.
“Duken si pritshmëri realiste. Unë e kuptoj. Kam pritshmëri të mëdha edhe nga vetja. Unë shkova në Hammarby, sepse doja të fitoja tituj. Tani fituam Kupën, që ishte trofeu i parë në histori të klubit. Është gjë e madhe për mua dhe për klubin. Duhet të keni pritshmëri nga unë, duhet të keni pritshmëri që unë të shënoj gola. Është e qartë kur shohim të kaluarën time dhe të gjithë presin që unë të bëj atë në një ekip më të mirë. Mendoj se kam pasur statistika të mira vitin e kaluar, përveçse mund të kishte pasur më shumë gola në kampionat”, ka theksuar Selmani, që para se t’i bashkohej Hammarbyt kishte shënuar 15 gola dhe kishte bërë gjashtë asistime në 26 ndeshje për Varbergsin.
Në fakt paraqitjet e mira me Varbergsin shtynë Hammarbyn ta blinte kartonin e sulmuesit kosovar. Hammarby përfundoi i pesti në “Allsvenskan”, gjashtë pikë prapa vendit të parë Malmos dhe të dytit, AIK-ut.
Edhe
Selmani synon trofe në futbollin rumun
“Ne ishim të fortë në vjeshtë, por ishim paksa shumë të pabarabartë ndonjëherë. Në disa ndeshje mund të kishim fituar, por ngecëm. Më shumë barazime mund të na kishin çuar më lart. Po punojmë për këtë tani, që të jemi më të mirë dhe të fitojmë sa më shumë ndeshje”, ka thënë ai.
Selmani është i bindur se edicionin e ri që nis në fillim të muajit prill do të jetë më i mirë për të dhe klubin.
“Personalisht mendoj se do të jem më i mirë pasi trupi është mësuar me kalimin te Hammarby dhe me më shumë ndeshje. Unë jam vetëm 25-vjeçar, jam ende i ri. Nëse shikoni ekipin, mendoj se do të përmirësohemi. Ne kemi në skuadër Joel Nilssonin nga Mjallby dhe Edvin Kurtulusin nga Halmstadi. Janë dy djem të mirë që i janë bashkuar me shpejtësi grupit. Kurtulus është një mesfushor i qëndrueshëm që është i mirë me këmbët e tij”, shtoi Selmani.
Selmani është pyetur nëse do të mbetet edhe më gjatë pjesë e skuadrës suedeze. Ai ka thënë se synimi i tij është ky edhe pse ka kontratë deri në fund të vitit 2024.
“Unë jam ende lojtar i Hammarbyt. Absolutisht”, është përgjigjur shkurt sulmuesi.
Edhe
Selmani nuk do të festojë nëse shënon ndaj Hammarbyt
Selmani ka folur edhe për ndryshimet që janë bërë në shtabin teknik. Sezonin e ri Hammarby për trajner do ta ketë Marti Cifuentesin. Në fakt, spanjolli është trajneri i tretë i klubit në më pak se një vit. Ai ka nënshkruar kontratë për tre vjet.
“Do të jetë shumë emocionuese të fillosh të punosh me të. Mendoj se do të jetë mirë. Unë në fakt nuk di shumë për të, por i besoj bordit dhe menaxhmentit tonë. Gjëja e rëndësishme është që ne lojtarët dhe klubi kemi qenë të bashkuar. Klubi ka qenë gjithmonë i qartë për ne, kemi marrë informacione dhe kemi ditur se çfarë ka ndodhur me gjithë situatën rreth ish-trajnerit. Është e qartë se nuk është optimale të ndryshohen trajnerët çdo gjashtë muaj, por në fund e rëndësishme është që ne në grup të kemi një ndjenjë të mirë dhe këtë e kemi pasur gjithmonë”, ka thënë Selmani, i cili në tetor të vitit të shkuar debutoi te Kosova dhe deri më tani ka katër paraqitje.