Sport

Astrit Selmani ende nuk e ka të drejtën e lojës te Kosova

Një sulmues energjik dhe në formë të lartë mund të jetë ndihmë e madhe për Kosovën në ndeshjet e shtatorit. Astrit Selmani mund të jetë një opsion për përzgjedhësin Bernard Challandes. Por, vetëm nëse deri në ditët e para të shtatorit e fiton të drejtën të luaj për përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Ndonëse ishte grumbulluar për ndeshjet miqësore të qershorit, Selmani ende nuk është në dispozicion të Kosovës për ndeshje zyrtare, përkatësisht për ndeshje kualifikuese. Dokumentacioni i tij nuk është ende i kompletuar.

Këtë e ka bërë të ditur për KOHËN vetë futbollisti i Hammarbyt suedez. Ndërkohë në Federatën e Futbollit të Kosovës janë të bindur se Selmani do të ketë të drejtë të luajë për Kosovën në ndeshjet e shtatorit.

Kosovën e pret orar i ngarkuar muajin e ardhshëm. Në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2022, Kosova më 2 shtator luan në udhëtim ndaj Gjeorgjisë. Më 5 shtator e pret Greqinë në Prishtinë, ndërsa më 8 shtator, Kosova e pret edhe Spanjën.

Nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri te grumbullimi për ndeshjet e shtatorit, që i japin kahe rrugëtimit të Kosovës në këto eliminatore.

Ka kohë që Kosova përballet me mungesë të konkurrencës në sulm, të domosdoshme për rritje të ekipit. Vedat Muriqi është i pakonkurrencë. Selmani vlerësohet tip tjetër i lojtarit, që vrapon më shumë dhe bën presion të vazhdueshëm, dhe do të ishte ardhje e mirë për Kosovën. Për dallim nga lojtarët e tjerë, Selmani nuk është ndalur fare gjatë verës. Ka pesë gola në katër ndeshjet në kualifikimet e Ligës së Konferencës, prej 22 korrikut e tutje. Kishte shënuar tri herë ndaj Mariborit më 22 korrik, ndërsa shënoi dy herë ndaj Çukariçkit serb të enjten mbrëma. Ndaj kësaj skuadre kishte një asistim javën e kaluar.

Në elitën suedeze, Selmani luan rregullisht. I ka tre gola e pesë asistime në 14 paraqitje për Hammarbyn. Liga e Suedisë zhvillohet edhe gjatë verës, kështu që Selmani është në formë të lartë fizike.

“Shpresoj që të bëhet pasaporta e Kosovës deri në ndeshjet e shtatorit dhe të kam drejtë loje”, ka thënë Selmani për KOHËN të enjten mbrëma, pasi shkëlqeu në ndeshjen ndaj Çukariçkit. “Ka mbetur që të kompletohen edhe disa letra. Po e presim lejen e FIFA-s. Unë i kam bërë të gjitha që kanë qenë në dorën time. Tani është punë e FFK-së. Po e presim lejen dhe shpresoj që ajo të arrijë deri në shtator. FFK-ja po punon që unë të kam drejtë të luaj”, ka shtuar Selmani.

Ai shkëlqeu vjet te skuadra Varbergs. Kështu siguroi transferimin te Hammarby dhe u fut në konkurrencë për vend te Kosova. Ishte përfolur për grumbullim në ndeshjet e marsit me Lituaninë, Suedinë dhe Spanjën. Por nuk u grumbullua me arsyetim zyrtar se ishte infektuar me koronavirus.

Mori ftesë për ndeshjet e qershorit, miqësoret me San Marinon dhe Maltën. Ndaj San Marinos qëndroi në stol për shkak të angazhimit me skuadrën në Suedi, ndërsa u lirua para ndeshjes ndaj Maltës për shkak të një lëndimi. Dhe tani çështjet e dokumentacionit mund t’ia mohojnë sërish debutimin.

“Unë kam vendosur për Kosovën dhe u kam thënë të gjithëve për këtë. Po pres që të kompletohet dokumentacioni dhe të kam të drejtë loje. Shpresoj që do të kem të drejtë të luaj në shtator. Jam në formë të mirë, rregullisht po shënoj ose asistoj dhe besoj që formën e njëjtë do ta bartja edhe te Kosova. Por, fillimisht shpresoj të kem të drejtë loje”, ka shtuar Selmani.

KOHA ka pyetur për çështjen e Selmanit dy drejtues të përfaqësueses së Kosovës. Derisa drejtori i përfaqësueses, Muharrem Sahiti, është i bindur se Selmani do të ketë të drejtë loje në shtator, menaxheri Bajram Shala nuk është përgjigjur fare.

Sahiti nuk ka dhënë detaje se ku kanë ngecur gjërat, por thotë se çështja më shumë është formalitet.

“Po, po. Deri në shtator kryhet çdo gjë. Faktikisht është e kryer, është vetëm formalitet. Në shtator ai do të jetë pjesë e Kosovës dhe do të ketë të drejtë loje. Astrit Selmani është në planet tona dhe gëzon fakti që po kalon formë të lartë”, ka theksuar Muharrem Sahiti.

Kosova është pa pikë në kualifikimet për Botërorin 2020. Ka humbur 3:0 nga Suedia dhe 3:1 nga Spanja. Ndeshjet e qershorit kanë ofruar disa emra të rinj, por shumë lojtarë që ishin bartës kanë bërë hapa prapa në karrierë gjatë verës.