Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Astrit Selmani është heroi i Hammarbyt. Selmani shënoi penalltinë vendimtare në finale të Kupës së Suedisë, që për Hammarbyn ishte trofeu i parë që prej triumfit në kampionat në vitin 2001.
Selmani u është përgjigjur kritikëve në Suedi duke theksuar se është në rritje të ritmit të lojës së tij. Hammarby fitoi në finale të Kupës ndaj Hackenit nëpërmjet penalltive 5:4. Koha e rregullt dhe vazhdimet dy herë nga 15 minuta përfunduan baras pa gola.
“Ky trofe për mua do të thotë shumë, pasi gjithmonë është folur që nuk fitojmë, se nuk ka trofe. Tani kemi një trofe. Njerëzit thonë po ashtu se do të rrëzohemi nga elita dhe unë nuk i kuptoj, pasi kanë mbetur edhe 22 ndeshje. Për sa kohë që njerëzit vazhdojnë të flasin, unë do të vazhdoj ta rris ritmin”, ka thënë Selmani pas ndeshjes finale.
Selmani 24-vjeçar iu bashkua Hammarbyt në janar të këtij viti nga Varbergsi, ndërsa këtë edicion në 15 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar dy gola dhe ka asistuar tetë herë.