Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Selektori i Iranit thotë se lojtarët janë të lirë që të protestojnë

Selektori i Iranit, Carlos Queiroz, ka thënë se lojtarët e tij “janë të lirë” që të protestojnë për të drejtat e grave në vendin e tyre, gjatë kohës sa janë në Kupën e Botës.

Protestat shpërthyen në Iran dy muaj më parë, pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Aminit, 22-vjeçares e cila u arrestua nga policia për dyshimin se kishte thyer rregullat lidhur me veshjen.

Irani thotë se protestat janë trazira të orkestruar nga armiqtë e jashtëm të vendit. Të paktën 326 protestues janë vrarë prej se kanë nisur protestat, shkruan BBC.

Queiroz ka thënë se çdo protestë e lojtarëve të Iranit duhet të jetë në përputhje me rregulloret e Kupës së Botës.

“Lojtarët janë të lirë të protestojnë për sa kohë që kjo është në përputhje me rregulloret e Kupës së Botës dhe është në frymën e futbollit”, ka thënë portugezi Queiroz.

“Por ju mund të shprehni veten edhe në fushë, në lojën e futbollit. Dhe lojtarët kanë vetëm një gjë në mendje dhe kjo është që të luftojë për t’u kualifikuar në raundin e dytë”.