Aktivistët u kanë bërë thirrje tifozëve të futbollit që ndjekin ndeshjet e Përfaqësueses së Iranit në Kupën e Botës që fillon më vonë këtë muaj, për të brohoritur emrin e Mahsa Aminit, vdekja e të cilës në paraburgim shkaktoi protesta mbarëkombëtare.
Irani është tronditur nga tetë javë protesta që nga vdekja e Aminit, pas arrestimit të saj për një shkelje të dyshuar të rregullave të rrepta të kodit të veshjes së vendit për gratë. Përkundër një goditjeje të përgjakshme, protestat që fillimisht panë gratë të djegin shamitë e tyre dhe të prenë flokët, kanë evoluar në një lëvizje më të gjerë që kërkon fundin e Republikës Islamike. Aktivistja për të drejtat e grave Negin Shiraghaei u bëri thirrje shikuesve që të thonë emrin e 22-vjeçares Amini në minutën e 22-të të çdo ndeshjeje që Irani luan në Kupën e Botës në Katar.
“Bashkohuni me ne për t'i kujtuar botës se çfarë po ndodh në Iran duke thirrur emrin e Mahsas në minutën e 22-të të ndeshjeve të futbollit në këtë Kupë Bote”, thuhet në një postim në llogarinë e saj në “Twitter”.
Masih Alinejad, një aktiviste me bazë në New York dhe me origjinë nga Irani, e cili bën fushatë kundër vendosjes së detyrueshme të shamisë, u bëri thirrje gjithashtu tifozëve të Kupës së Botës që të thërrasin emrin e Aminit.
“Na ndihmoni të përjetësojmë #MahsaAmini dhe luftën tonë kundër këtij regjimi brutal. Në minutën e 22-të të çdo ndeshje të Kupës së Botës, thuaj #MahsaAmini”, shkroi ajo në “Twitter”.
Grupi i Iranit për të Drejtat e Njeriut me bazë në Oslo, thotë se të paktën 304 njerëz janë vrarë në të gjithë Iranin që nga shpërthimi i protestave për vdekjen e Aminit më 16 shtator. Protestat u nxitën nga zemërimi për rregullat kufizuese të veshjes për gratë, por janë rritur në lëvizje të gjerë kundër teokracisë që ka sunduar Iranin që nga viti 1979.
Edhe
Më shumë gra në Iran shihen pa hixhabe që nga vdekja e Mahsa Aminit
Yjet e sportit iranian janë ndër personazhet e famshëm që kanë treguar mbështetje publike për protestat. Disa prej tyre kanë pasur telashe me autoritetet. Në fund të shtatorit, ish-futbollisti iranian, Hossein Maanahi, u arrestua për atë që media shtetërore tha se ishte mbështetja për “trazira” në faqet e tij në mediat sociale. Të gjithë, përveç dy lojtarëve të Përfaqësueses së Iranit në futboll, refuzuan të këndonin himnin e vendit përpara se të luanin një ndeshje miqësore kundër Nikaraguas në Teheran të enjten në mbrëmje, sipas pamjeve të shpërndara në internet. Në fund të shtatorit i gjithë ekipi qëndroi i veshur me të zeza gjatë intonimit të himnit në vend që të ekspozonte uniformën kombëtare të Iranit, në atë që u pa si një nderim për të vrarët në protesta.
Republika Islamike ka kërkuar ta portretizojë lëvizjen e protestës si një komplot të krijuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj. Në Kupën e Botës, e cila fillon në Katar më 20 nëntor, Irani do të përballet me Anglinë më 21 nëntor, me Uellsin më 25 nëntor dhe me SHBA-në më 29 nëntor. Të gjitha këto ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupit B.