Sport

Protestat e grave lënë në hije ndeshjen e Iranit në Botëror

Lojtarët e Iranit nuk kënduan himnin e tyre kombëtar dhe nuk i festuan golat e tyre. Në tribuna, shumë tifozë iranianë u solidarizuan me lëvizjen protestuese që ka tronditur vendin prej muajsh. Ndeshja hapëse në Kupën e Botës për Iranin, të hënën kundër Anglisë, nuk kishte të bënte vetëm me futbollin, por edhe me betejat politike që kanë kapluar vendin. Dhe për disa gra iraniane, që e kanë të ndaluara të përcjellin ndeshje të futbollit të meshkujve në shtëpi, ishte një shans i çmuar për të parë drejtpërdrejt ekipin iranian në Doha.

“A e dini sa e dhimbshme është të jesh tifozi më i madh i futbollit dhe të mos shkosh kurrë në një ndeshje për 34 vjet?" tha Afsani, 34-vjeçarja nga Teherani, e cila udhëtoi në Katar për të parë ekipin e meshkujve për herë të parë. Ajo tha se qau kur hyri në stadiumin “Khalifa International”.

Ashtu si tifozët e tjerë iranianë, Afsani nuk pranoi të jepte mbiemrin nga frika e hakmarrjes së qeverisë. Irani humbi 6:2 ndaj një skuadre superiore të Anglisë, por rezultati nuk ishte më i rëndësishmi për Mayramin, një banore 35-vjeçare nga Teherani, e cila gjithashtu ndoqi ndeshjen e parë të futbollit. Ajo ishte e zhgënjyer që lojtarët nuk treguan solidaritet më të hapur me protestat në shtëpi.

“Ne kemi vajza që po vriten në rrugë. Është vështirë të thuhet, por situata nuk është aspak e mirë. Është tejet e rënduar”, insistoi ajo.

Irani po garon në Kupën e Botës mes një goditjeje të dhunshme ndaj lëvizjes së madhe protestuese të grave, që ka rezultuar me vdekjen e të paktën 419 personave, sipas aktivistëve të drejtave të njeriut në Iran.

Trazirat u nxitën nga vdekja më 16 shtator e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin. Shumë tifozë iranianë në Doha mbanin bluza dhe tregonin pano me shenjën e kryengritjes – “Gruaja, Jeta, Liria”. Të tjerët mbanin bluza me emrat e protestueseve të vrara nga forcat iraniane të sigurisë në javët e fundit. Në minutën e 22-të të ndeshjes - një referencë për moshën e Aminit kur ajo vdiq - disa tifozë brohoritën emrin e saj, megjithëse refreni u shua shpejt dhe u zëvendësua nga fjala “Iran”. Tifozët e tjerë të veshur me ngjyrën e flamurit iranian brohoritën me zë të lartë për ekipin e tyre. Shumë prej tyre refuzuan të flasin për situatën politike, duke thënë se ajo nuk ishte e rëndësishme për ta. Para ndeshjeve ndërkombëtare, lojtarët e Iranit zakonisht këndojnë himnin kombëtar me duart e djathta në zemër. Të hënën ata qëndruan në heshtje, duke bërë që televizioni shtetëror i Iranit të shfaqë një pamje të gjerë të fushës. Gjatë ndeshjes, lojtarët nuk i festuan dy golat, diçka që është bërë e zakonshme në ndeshjet e ligës iraniane që nga fillimi i protestave.

“Lëvizja e protestës ka lënë në hije futbollin”, tha Kamran, një profesor i gjuhës që jeton në provincën veriore Mazandaran. “Unë dua që Irani të humbë këto ndeshje”.

Të tjerët këmbëngulin se ekipi iranian, i cili përfshin lojtarë që kanë folur në mediat sociale në solidaritet me protestat, është përfaqësues i popullit të vendit dhe jo i klerikëve në pushtet. Sulmuesi i skuadrës, Sardar Azmoun, ka qenë i zëshëm për protestat. Ai ishte në bankinë gjatë ndeshjes dhe kjo shqetësoi tifozët të cilët thanë se po kërkonin nga ai të bëjë një veprim proteste në fushë.

Dy ish-yje të futbollit janë arrestuar për mbështetjen e lëvizjes. Ali Jassim, një tifoz iranian, tha se ishte i sigurt se kriza politike po ndikonte në paraqitjen e ekipit, pasi Anglia avanconte 3:0 në pjesën e parë.

“Nuk e di se si mund të fokusohen në një stadium me kaq shumë njerëz që duan që ata të dështojnë”, tha ai.

Qeveria iraniane është përpjekur të inkurajojë qytetarët që të mbështesin ekipin kundër armiqve tradicionalë të Iranit. Irani luan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 29 nëntor - një përballje e diskutueshme që ndodhi për herë të fundit në Kupën e Botës 1998 në Francë.