Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Seferi kërkon pikët e plota dhe përkrahjen e tifozëve ndaj Moldavisë

Sulmuesi Taulant Seferi ka insistuar se është plotësisht i gatshëm ta ndihmojë Shqipërinë në dy ndeshjet kualifikuese për “Euro 2024” të këtij muaji. Në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën, Seferi ka thënë se ndihet në formë të mirë dhe është gati për ta dëshmuar këtë në fushë, natyrisht nëse selektori Sylvinho e inkuadron në lojë. 26-vjeçari edicionin e fundit ka treguar një formë të mirë të Vorskla Poltava, ku ka shënuar 13 gola në 28 ndeshje të luajtura në kampionatin e Ukrainës.

“Sezoni im ka shkuar shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur. Jam 100 për qind i përgatitur dhe jam shumë i lumtur që jam sërish këtu. Besoj se cilido lojtar që vjen në Kombëtare ka dëshirën dhe vullnetin të japë 100 për qindëshin. Jam gati për këto dy ndeshje, por të shohim”, ka thënë Seferi.

Shqipëria para një javë ka nisur grumbullimin për ndeshjet e këtij muaji, ndërsa do të përballet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe në kuadër të Grupit E. Ndeshjen e parë, Shqipëria e luan në stadiumin “Air Albania” në Tiranë kundër Moldavisë, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet në udhëtim me Ishujt Faroe. Aktualisht, Shqipëria është e fundit në grup pa pikë, pasi në ndeshjen e vetme të këtij cikli eliminator të luajtur deri më tani, ka pësuar 1:0 si mysafire e Polonisë. Sulmuesi ka insistuar se Shqipëria nuk synon fitore vetëm ndaj Moldavisë, por edhe Ishujve Faroe për të mbetur në garë për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

“Nëse s’jemi të përqendruar, do të kemi probleme. Fokusi ynë është që të japim maksimumin në çdo stërvitje dhe ndeshje. Çdo ditë e analizojmë kundërshtarin dhe besoj se ditën e ndeshjes do të jemi maksimalisht dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë në fushë. Po punojmë fort dhe besoj se me maksimumin tonë mund t’ia dalim”, ka thënë Seferi. “Ne jemi të fokusuar te ndeshja e parë me Moldavinë. Qëllimi ynë është ta nisim me fitore dhe pastaj do të shohim ndeshjen e radhës. Natyrisht, kemi ardhur këtu për të marrë maksimumin e këtyre ndeshjeve dhe shpresoj që pas dy takimeve të flasim me pozitivitet”.

Seferi ka thënë se ardhja e Sylvinhos në krye të Shqipërisë ka sjellë harmoni dhe pozitivitet tek lojtarët, gjë që po shihet në këtë grumbullim. Po ashtu, ai ka ftuar tifozët që të jenë në numër sa më të madh në tribuna për ndeshjen me Moldavinë, duke thënë se Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për përkrahjen e tyre të fuqishme. Grupit të Shqipërisë, i prinë Çekia me 4 pikë të mbledhura, e ndjekur nga Polonia (3), Moldavia (2) dhe Ishujt Faroe (1). Megjithatë, Çekia, Polonia dhe Moldavia, kanë nga një ndeshje më shumë të luajtur në grup sesa Ishujt Faroe e Shqipëria.