Fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën, përzgjedhësi Lionel Scaloni, ka thënë se po e konsideron doërheqjen pas pesë vjetëve të kaluar në këtë rol.
Scaloni këtë njoftim befasues e ka bërë pas fitores 1:0 të Argjentinës ndaj Brazilit në Rio de Janeiro të martën mbrëma.
Ishte ndeshje kualifikuese për “Botërorin 2026”.
45-vjeçari Scaloni po ashtu e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në “Copa America” në vitin 2021, para se ta fitonte Botërorin në fund të vitit të kaluar në Katar.
“Argjentina ka nevojë për trajner që e ka gjithë energjinë e mundshme. Duhet ta ndal topin dhe të mendoj, sepse kam shumë gjëra për të cilat duhet të mendoj në këtë kohë. Nuk po them mirupafshim apo diçka. Por, do të mendoj dhe do të flas me presidentin e Federatës së Argjentinës dhe me lojtarët”, ka thënë Scaloni.
Scaloni në krye të Argjentinës erdhi si zëvendësues i Jorge Sampaolit në gusht të vitit 2018.