Seria e tetë fitoreve rresht e Interit përfundoi të mërkurën. Dy ish-lojtarët e ekipit “nerazzurr”, Antonio Candreva dhe Keita Balde Diao, shënuan dhe i dhanë fitoren Sampdorias kundër Interit, 2:1.
Candreva e konvertoi penalltinë e fituar, ndërsa Keita në fundin e pjesës së parë e dyfishoi rezultatin.
Për skuadrën e Interit shënoi qendërmbrojtësi Stefan De Vrij.
Meritat për këtë fitore i pati edhe portieri i nikoqirëve, Emil Audero, i cili e priti një penallti të Alexis Sanchezit, që në fillim luajti në mungesë të Romelu Lukakut. Belgu u inkuadrua në minutën e 63-të por nuk bëri ndryshim në rezultat.
Interi mbetet në vendin e dytë me 36 pikë, ndërsa Sampdoria e 11-ta, ka 20 pikë.