Emir Sahiti ka vendosur derbin më të zjarrtë kroat. Të dielën mbrëma më “Poludin” e stërmbushur, Hajduku i Splitit fitoi 1:0 ndaj Dinamo Zagrebit. Sahiti shënoi gol të bukur në minutën e 59-të për ta vendosur sfidën e dy skuadrave më të mëdha kroate.
Hajduku kishte përkrahje të jashtëzakonshme nga tribunat dhe shpërbleu tifozët me fitore ndaj rivalit më të madh.
Sahiti 24-vjeçar ka shënuar gol në ndeshjen e dytë rresht. Arijan Ademi luajti prej minutës së 62-të për Dinamon, por pa mundur të bëjë ndryshimin e shpresuar. Ndeshja i ka takuar xhiros së dhjetë të elitës së Kroacisë. Hajduku është lider me 21 pikë nga nëntë ndeshje. Dinamo është e treta me 16 pikë nga tetë ndeshje. Dinamon e Zagrebit tani e pret udhëtimi për në Kosovë. Të enjten luan ndaj Ballkanit në “Fadil Vokrri”, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Konferencës.