Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sahiti synon ta vendosë sërish derbin më të madh kroat

Emir Sahiti ishte hero i Hajdukut të Splitit në derbin e fundit kundër Dinamos së Zagrebit. Në ndeshjen që u zhvillua më 1 tetor, e që i takoi xhiros së 10-të të elitës së futbollit kroat, Sahiti e kishte shënuar golin e fitores.

Të dielën, Sahiti dhe Hajduku do të luajnë në stadiumin “Maksimir”, në ndeshjen e xhiros së 19-të. Ndeshja nis në orën 17:15.

“Atmosfera është shumë e mirë në ekip dhe kjo po shfaqet edhe në fushë. Ndeshje e vështirë na pret, por jemi të gatshëm. Shpresoj ta shfaqim karakterin dhe fuqinë tonë dhe do të fitojmë. Kundërshtari është këndellur në ndeshjet e fundit, por ne nuk jemi të interesuar në klubet e tjera. Kemi fituar gjashtë ndeshje dhe kemi një barazim. Shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ka thënë ai për faqen zyrtare të Hajdukut, ndërsa ka kujtuar edhe golin e shënuar në derbi herën e fundit.

“Ndjenja ishte shumë e mirë, nuk mund ta harroj asnjëherë. Kur e shikoj atë gol, më rrëqethet trupi. Jam ndarë shumë i kënaqur me atë gol, por më së shumti me fitoren. Shpresoj të shkojmë në Zagreb dhe të fitojmë. ‘Torcida’ po na pret. Tifozët tanë janë të veçantë. Shpresoj që ata do të jenë të kënaqur me ne”, ka deklaruar Sahiti.