Sulmuesi i krahut, Emir Sahiti insiston se ky është viti i Hajdukut të Splitit dhe është i bindur se në fund të edicionit do ta festojnë titullin e kampionit të Kroacisë. Ai insiston se me padurim pret rifillimin e edicionit me Hajdukut, ndërsa shton se përgatitjet po shkojnë shumë mirë.
Në pjesën e parë të këtij edicioni, Sahiti ka shënuar gjashtë gola, katër në kampionat dhe dy në kupë. Aktualisht, Hajduku është lider në elitën e Kroacisë me 41 pikë të mbledhura pas 19 ndeshjeve të zhvilluara. Ka një ndeshje më shumë se Rijeka që zë vendin e dytë me 35 pikë, ndërsa në pozitën e tretë është Dinamo e Zagrebit me 34 pikë dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara. Ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti, Hajduku do ta luajë në shtëpi kundër Rijekës në fund të këtij muaji (28 janar). Po ashtu, Sahiti ka thënë se është shumë i lumtur te Hajduku dhe se nuk e ka ndërmend të largohet as pas përfundimit të edicionit aktual.
“Unë jam i fokusuar te Hajduku, kam kontratë edhe për dy vjet e gjysmë dhe jam shumë i lumtur këtu. Nëse vjen ndonjë ofertë, e cila do të më kënaqte mua dhe klubin, do të ulesha me kryesinë për ta shikuar. Gjithmonë them se jam i lumtur këtu, do të jepja gjithçka për Hajdukun. Hajduku është si një shtëpi e dytë për mua, ndihem mirë. Kam gjashtë vjet që jam në Split. Ka ende kohë dhe nëse qëndroj në Hajduk do të jem i lumtur”, ka thënë Sahiti. “Gjëja e parë është se dua ta fitoj titullin, nëse do Zoti këtë vit. Mendoj se ky është viti ynë edhe pse deri në fund ka edhe shumë ndeshje. Duhet të jemi të fokusuar në secilën ndeshje”.
Ai thotë se me fitimin e titullit, do ta kishte mundësinë që edicionin tjetër të paraqitej në kualifikimet e Ligës së Kampionëve me Hajdukun. Shton se golin në derbin kundër Dinamos nuk do ta harroj kurrë. Në tetor të vitit të shkuar, Hajduku mposhti 1:0 Dinamon me golin e Sahitit në pjesën e dytë.
“Është një derbi i madh. Nuk është e lehtë të shënosh një gol kundër Dinamos, nuk do ta harroj kurrë atë gol në jetën time, aq më tepër që ishte në Poljud para kaq shumë njerëzve. Jam i lumtur që shënova, por edhe më i lumtur që fituam. Ishin 34 mijë njerëz. Goli hyri thellë në zemrën time, nuk mund ta harroj kurrë”, ka pranuar Sahiti.
Edhe
Hoxha shënon gol të bukur në derbin e madh kroat
Krahas synimeve me Hajdukun, Sahiti ka folur edhe për synimet personale që i ka këtë edicion, numrin e golave që dëshiron ta ketë.
“Kam katër në kampionat, dy në kupë dhe dy asistime. I lutem Zotit të shënoj në çdo ndeshje por nuk luaj për veten time, pasi hyj në lojën për dëshirën për të fituar sepse luaj për ekipin. Do të jem i lumtur nëse shënoj gola por i fitojmë ndeshjet”, ka thënë Sahiti që këtë edicion është shquar për supergola. “Nuk mbaj mend kur kam shënuar një gol të zakonshëm, vetëm për ta shtyrë topin në rrjetë. Unë jap eurogola ose asgjë. Nuk e mbaj mend kur kam shënuar gol normal, e kur e mbaj, e mbaj mend përgjithmonë”.