Loret Sadiku u transferua te skuadra e Hammarby dhe menjëherë ka dhënë sinjalet e para se dëshiron të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës. Ai thotë se gjithçka është e re në karrierën e tij, por e pranon se është pritur ngrohtësisht. Ndërkohë, e pranon edhe se nuk është në formën më të mirë fizike, pasi nuk ka luajtur për një kohë shumë të gjatë.
Sadiku së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Kasimpashas në Turqi, ndërsa më 18 shkurt iu bashkua klubit suedez.
“Nuk kam luajtur për tre muaj e gjysmë. Forma është ashtu siç është. Qëkur kam ardhur këtu, kam pasur shumë flluska në këmbë, ndoshta për shkak të terrenit artificial. Nuk kam luajtur në terren me bari artificial për një kohë të gjatë”, ka thënë Sadiku për mediumin “fotbollskanalen”.
Të dielën, Hammarby do të luajë në çerekfinale të Kupës së Suedisë kundër Norrkopingut, por nuk dihet nëse Sadiku do të luajë.
“Varet nga trajneri. Unë dua të jem i gatshëm dhe të luajë për 90 minuta dhe të nis që nga kjo ndeshje. Por, trajneri Marti Cifuentes vendos dhe ne e dëgjojmë se çfarë ai thotë”, nënvizoi 30-vjeçari Sadiku, që luan në pozitën e mesfushorit defensiv.