Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rusia humb apelin edhe ndaj FIFA-s

Kërkesa e Rusisë për të ngrirë një ndalim të FIFA-s për përfaqësueset e saj të futbollit përpara ndeshjeve të plejofit të Kupës së Botës që zhvillohen javën e ardhshme, u refuzua të premten.

FIFA tha se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), hodhi poshtë apelin e Federatës së Futbollit të Rusisë për një vendim të përkohshëm urgjent anuluar suspendimin që është në pritje të një apeli të plotë, i cili mund të vijë brenda javësh. Vendimi i CAS-it, do të thotë se Rusia nuk do të jetë në gjendje të luajë me Poloninë në plejofin e Botërorit “Katari 2022” të enjten.

Vendimi i fundit pason një refuzim të ngjashëm të CAS-it, për të ngrirë ndalimin e UEFA-s për përfaqësueset dhe klubet ruse në futbollin evropian.

Sportistëve rusë u është ndaluar të konkurrojnë në sporte të shumta për shkak të pushtimit të Ukrainës nga rusia. Po ashtu, edhe sportistëve të Bjellorusisë i është dhënë një ndalesë e tillë për shkak se vendi i tyre ka qenë aleat i Rusisë.

Federata e Futbollit të Rusisë ende mund ta shfuqizojë ndalimin e FIFA-s, përpara një raundi tjetër të ndeshjeve ndërkombëtare që luhen në fillim të qershorit. Një fitore ruse në CAS mund të detyrojë më pas të përsëriten ndeshjet e plejofit që luhen këtë muaj.

Ukraina është gjithashtu në plejofin e Botërorit dhe ndeshja e saj e planifikuar të enjten kundër Skocisë u shty nga FIFA deri në qershor. Ukraina ose Skocia do të avancojnë në finale të plejofit për t'u përballur me Uellsin ose Austrinë, që përballen në Cardiff javën e ardhshme. Fituesi i finales së plejofit, do ta sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin që mbahet në fund të këtij viti në Katar.