Përjashtimi i Rusisë nga futbolli ndërkombëtar përpara plejofit të Kampionatit Botëror “Katari 2022” po shkon drejt një rasti tjetër urgjent në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Dhe, sportet ruse kanë pasur disa suksese në këtë gjykatë. Federata e Futbollit të Rusisë ka bërë gati dhe gjatë ditës së sotme do ta dërgojë edhe një ankesë tjetër kundër vendimit të përbashkët të FIFA-s dhe UEFA-s për të përjashtuar përfaqësueset dhe klubet e saj nga garat ndërkombëtare. Ankesa urgjente ka të bëjë me faktin se pas 20 ditësh, ka qenë e planifikuar që Rusia të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e plejofit.
Ndërsa, finalja është pesë ditë më vonë. E dorëzimi i ankesës tjetër, i jep kohë CAS-it më shumë sesa që pati në dispozicionin për rastin e patinazhistes 15-vjeçare Kamila Valieva në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Rusia dëshiron që i gjithë rasti të zgjidhet këtë muaj në një proces të shpejtë pasi nuk ka gjasa të marrë pëlqimin e FIFA-s dhe UEFA-s që të luajë në plejof. Opsioni tjetër është kërkimi i një vendimi të përkohshëm për të ngrirë të gjitha sanksionet derisa të dëgjohen të gjitha palët, gjë që mund të zgjasë javë ose muaj.