Mbrojtësi Trevoh Chalobah ndoqi hapat e vëllait të tij, Nathanielit, teksa arriti nga futbolli i rastësishëm në lagjen e tij në Londër, Gipsy Hill, tek ekipi i parë i Chelseat. Vëllezërit e lindur në Sierra Leone luajtën futboll në ligën e së dielës derisa Nathanieli u mor nga skuadra e Londrës perëndimore, Fulhami. Chelsea së shpejti rekrutoi Nathanielin pasi luajti kundër Fulhamit dhe Trevoh e rriti lojën e tij ndërsa kërkonte të ndiqte shembullin e vëllait të tij më të madh.
“Kur e pashë që Nathanielin e mori Chelsea, vetëm e ngrita ritmin tim pak më shumë”, ka thënë Chalobah 22-vjeçar. “Dhe, pas disa javësh Chelsea më ftoi”.
Bashkimi me të rinjtë e Chelseat doli të ishte një hap masiv për Trevoh. Duke luajtur në të njëjtat ekipe me yjet e ardhshëm të Anglisë, Mason Mount dhe Declan Rice, ai pranon se dyshonte ndonjëherë në aftësitë e tij.
“Më kujtohet se isha në veturë me skautin tim, sepse ai më dërgonte në stërvitje dhe shtëpi. Unë do të filloja ta qaja në veturë dhe të thosha se nuk isha mjaft i mirë dhe kjo ishte shumë e vështirë për mua”, shprehet Chalobah.
Megjithatë, Trevoh shpërtheu kur në akademinë e Chelseat zbuluan një talent të veçantë të tij. Në fakt, atij i propozuan që të luante në mbrojtje, lëvizje kjo që e ngriti mjaftueshëm në karrierë.
“Njëri prej trajnerëve më tha se do të më provonte në mbrojtje pasi isha i fortë dhe kisha gjatësinë. Prej ndeshjes së parë fillova të kem paraqitje të mira dhe përmirësohesha nga ndeshja në ndeshje. Kështu që prej ekipit U16 unë kam luajtur vetëm në mbrojtje dhe kam filluar ngritjen time si lojtar”, shprehet ai.
Lojën e tij, Chalobah e ka perfeksionuar edhe më shumë në huazimet që i ka pasur te Ipswichi, Huddersfieldi e Lorienti. Ai me ekipin e parë të Chelseat ka debutuar në vitin 2021, saktësisht në ndeshjen e Superkupës së Evropës kundër Villarrealit.
“Më kujtohet që dy orë para ndeshjes e pashë veten në formacionin e parë. Ishte i shokuar, por në të njëjtën kohë i lumtur dhe i nervozuar. Ishte ndeshja ime e parë dhe ishte finale. Doja ta impresionoja trajnerin dhe mendoj se ia dola me sukses”.
Horizonti i tij u zgjerua edhe më shumë kur në nëntor të vitit 2021 debutoi në Ligën e Kampionëve. Në fakt ishte debutim fantastik. Shënoi gol dhe u shpall lojtar i ndeshjes kundër Juventusit, të cilën Chelsea e fitoi me rezultatin 4:0. Tani ai thotë se sfida është që ta mbajë ritmin dhe të motivojë veten për të luajtur edhe më mirë nga ndeshja në ndeshje.
“Gjithmonë punoj në shpejtësinë time. Pas çdo ndeshjeje kur dalim në stërvitje, ne e testojmë shpejtësinë. Aktualisht më i shpejtë se unë është vetëm Timo Werner, por po punoj që të përmirësohem”, tha Chalobah që është i vendosur për të qenë i suksesshëm në karrierë.
“Kur kam filluar të luaj futboll, kam dashur të bëhem legjendë, pra të jem person që inspiron të rinjtë. Mendoj se deri më tani kam bërë një rrugëtim të pabesueshëm, pasi prej ligës së të dielës po luaj në njërin prej ekipeve më të mëdha në botë. Besoj se për këtë do të mbahem në mend”.