Nuk mund të kishte një moment më të mirë për Jonathan Claussin se ai të kthehej në klubin, i cili dikur mendonte se nuk ishte gati për ashpërsinë e lojës. Ka qenë një rrugë e gjatë, por mbrojtësi i djathtë i Lensit përfundimisht arriti në nivelin më të lartë, duke shijuar për herë të parë edhe futbollin ndërkombëtar me Përfaqësuesen e Francës gjatë ditëve të fundit. Clauss 29-vjeçar, ekipi e të cilit udhëton në Strasburg - klubi që e refuzoi atë si lojtar të ri - në ligën franceze të dielën, bëri paraqitjen e tij të parë me Francën kundër Bregut të Fildishtë javën e kaluar.
Ai më pas ishte titullar për kampionen në fuqi të Botës, të të martën në fitoren kundër Afrikës së Jugut me rezultatin 5:0. Të dy ndeshjet miqësore i shërbyen Francës si përgatitje për Kupën e Botës që mbahet më vonë këtë vit, ndërsa Clauss i përmbushi pritjet dhe gjasat janë të mëdha që ai të përfshihet në listën e lojtarëve që do të udhëtojnë në Katar. Sidomos pasi trajneri i Francës, Didier Deschamps, tani përdor një sistem 3-5-2 me hapësirë për mbrojtësit e krahut që sulmojnë nga krahët. E Clauss është një tip i lojtarit të tillë.
Është në fakt profili sulmues i Claussit, ai që ka rënë në sy në Ligue 1 këtë sezon. Kontributi i tij në lojën sulmuese të Lensit ka qenë i shkëlqyer, me katër gola dhe nëntë asistime nën drejtimin e trajnerit Franck Haise, i cili e ka përdorur atë si mbrojtës krahu të djathtë. Vetëm Lionel Messi, Kylian Mbappe dhe mesfushori i Rennesit, Benjamin Bourigeaud, kanë dhënë më shumë pasime vendimtare këtë sezon në ligë. Me Francën, produkti i Akademisë së Strasburgut hyri për pak minuta në miqësoren kundër Bregut të Fildishtë.
Ai më pas dha një paraqitje të plotë kundër Afrikës së Jugut, duke kombinuar lojën e fortë në mbrojtje me sulme të mprehta në krah dhe harkime të sakta. Clauss do të kthehet në Strasburg plot besim pas përvojës së tij të parë ndërkombëtare. I lindur në qytetin e Alsasit, Clauss nuk u mbajt nga akademia e klubit të qytetit të tij pasi kaloi një dekadë nëpër ekipet e të rinjve.
“Kur më thanë se nuk do të mbanin, mund të them se u shkatërrova tërësisht në atë kohë. Por, gjithashtu, dëshpërimi i madh me lejoi të ngrihesha pasi u rrëzova”, ka pranuar Clauss. “Isha i zhgënjyer, por arrita të kuptoja se nëse doja të vazhdoja të luaja futboll, duhet të vendosja kënaqësinë në radhë të parë”.
Më pas, Clauss u mor me një sërë punësh të çuditshme, duke përfshirë atë në zyrën postare të natës dhe të kasapit përpara se të kthehej në futbollit me ekipe amatore. Ai kaloi disa sezone në ligat e ulëta gjermane dhe franceze përpara se të nënshkruante kontratën e parë profesionale me klubin e divizionit të dytë Quevilly-Rouen për sezonin 2017/18. Më pas ai u transferua në klubin gjerman të kategorisë së dytë Arminia Bielefeld përpara se Lens t'i ofronte një kontratë në qershor të vitit 2020. Vetëm në sezonin e tij të dytë në elitën franceze, Clauss ka qenë një kërcënim i vazhdueshëm për mbrojtësit kundërshtarë, me gjithsej 29 goditje dhe 58 pasime që çuan në tentime për të shënuar në portë, në 28 ndeshje të luajtura.
“Ai ka pasur një udhëtim tjetër në krahasim me lojtarët e tjerë, i cili nuk ka qenë aspak i lehtë”, pranoi trajneri i Lensit, Haise. “Ai kaloi shumë vite të vështira gjatë të cilave kishte nevojë për shumë elasticitet, qëndrueshmëri dhe për të vazhduar të besonte se mund të luante si profesionist. Ai është një shembull i mrekullueshëm për shumë lojtarë”.
Me nëntë ndeshje të mbetura për të luajtur në ligë, Lensi i vendit të tetë mund të shpresojë ende për një vend në garat evropiane sezonin e ardhshëm dhe do të llogarisë në Claussin sërish. Strasburgu është në vendin e pestë dhe po kërkon një vend në Champions League. Paris Saint-Germaini, i cili prin në tabelë me 12 pikë më shumë se Marseille, pret Lorientin të dielën. Ndërsa, Marseille luan në udhëtim te Saint-Etienne.