Sport

Championsi kthehet pas ndryshimeve të shumta gjatë pushimit të gjatë

Lionel Messi - Kylian Mbappe

Liga e Kampionëve vazhdon të martën, në një skenë evropiane të futbollit shumë më ndryshe nga ajo që ishte përpara një pushimi tremujor në mes të edicionit.

Gjatë pushimit, Lionel Messi fitoi titullin e parë të botës. Kylian Mbappe thuajse fitoi të dytin, e më pas u lëndua.

Favoritët e fillimit të sezonit për titullin evropian, kanë një rënie të formës në garat vendore këtë vit. Ndërkohë, një ekip i shquar përpara Kupës së Botës, Napoli, po marshon dhe po synon vend në çerekfinale për herë të parë në historinë 68-vjeçare të garës.

Jashtë fushës, projekti i Superligës Evropiane, që u përpoq të vriste në mënyrë efektive Ligën e Kampionëve, përballoi një pengesë serioze ligjore dhe kampioni në fuqi i Anglisë, Manchester City, po përballet me akuzat e Premier Leagues për mashtrim financiar. Akuzat një ditë mund të ndalojnë klubin të hyjë në Ligën e Kampionëve.

Kjo shton shumë dramë edhe para se të vazhdojë gara më e çmuar e futbollit për klube, me një përballje yjesh mes Paris Saint-Germainit dhe Bayern Munichut. Një reprizë e finales së vitit 2020, e fituar nga Bayerni, vë përballë dy fuqi që ndihmuan në ndalimin e Superligës Evropiane në vitin 2021, duke refuzuar t'i bashkohen asaj.

Ata që pritet të mungojnë në “Parc des Princes” janë golashënuesi dhe portieri me bilancet më të mira nga faza e grupeve. Kylian Mbappe, i cili shënoi shtatë gola në pesë ndeshje të Ligës së Kampionëve në vjeshtë, pritet të humbë pjesën më të madhe të shkurtit për shkak të një dëmtimi në kofshë. Ai bëri një kthim të papritur në stërvitje të dielën dhe mbetet të shihet nëse do të jetë gati për të martën.

Sezoni i portierit të Bayernit, Manuel Neuer, ka përfunduar. Ai theu këmbën duke skijuar pas Botërorit “Katari 2022”.

Ndeshja tjetër e së martës i vë përballë Milanin dhe Tottenhamin, dy nga shtatë skuadrat e 1/8 së finales që aktualisht janë jashtë vendeve që sigurojnë kualifikimin në Champions në ligat e tyre. Chelsea është një tjetër skuadër e tillë dhe viziton Borussia Dortmund të mërkurën, kur Club Brugge pret Benfican. Katër ndeshje të tjera të para të kësaj faze, janë planifikuar për 21 e 22 shkurt.

Pritja Messit

Në moshën 35-vjeçare, Messi më në fund fitoi Kupën e Botës për Argjentinën. Tani ai është kthyer në punën e fitimit të trofeut të pestë të Championsit. Kur Messi fitoi trofeun e katërt me Barcelonën në vitin 2015, Barack Obama ishte president i SHBA-së, Britania ishte në Bashkimin Evropian dhe Jose Mourinho fitoi një titull në ligë, me Chelsean.

Messi nuk ka qenë në finale që atëherë dhe tentativa e tij e parë me PSG-në përfundoi në 1/8 e finales kundër Real Madridit, sezonin e shkuar. Kur u përball për herë të fundit me Bayernin, Messi u mposht 8:2 me Barcelonën, në çerekfinalen e vetme të edicionit të goditur nga pandemia, në vitin 2020. Si PSG-ja ashtu edhe Bayerni kanë dështuar që nga Kupa e Botës. PSG-ja u fut e pamposhtur në vitin 2023, më pas humbi tri ndeshje në ligë dhe u eliminua nga Kupa e Francës. Bayerni ende kryeson Bundesligën, pas rifillimit me tri barazime radhazi.

Ekipet në rënie

Një fjalë e urtë e Ligës së Kampionëve është se “skuadra që tërhiqni pas fazës së grupeve nuk është gjithmonë ajo që e takoni në shkurt”. Kur shorti i 1/8 së finales u hodh më 7 nëntor, Real Madridi ishte lideri i pamposhtur i ligës spanjolle, i caktuar të përballet me një Liverpool tashmë të paqëndrueshëm. Real Madridi ka lëshuar shumë pikë së fundi dhe ka lënë Barcelonën të marrë një epërsi dominuese. Të paktën Reali i vendit të dytë në La Liga pothuajse e ka të sigurt kualifikimin në Champions për sezonin e ardhshëm. Kështu nuk mund të thuhet edhe për Chelsean, Tottenhamin dhe Liverpoolin. As Milanin, Leipzigun, Eintracht Frankfurtin dhe Club Bruggen.

Asnjë nuk është aktualisht në rrugën e duhur për t'u kualifikuar në garën elitare për sezonin e ardhshëm. Për Liverpoolin dhe Chelsean, kampionët evropianë më 2019 dhe 2021, fitimi i një finaleje tjetër më 10 qershor në Stamboll mund të jetë shansi më i mirë për të qenë në shortin e fazës së grupeve në gusht. Chelsea luan me Borussia Dortmundin që zë vendin e tretë dhe ka vetëm tri pikë më pak se Bayerni.

Skuadrat që mund të befasojnë

Napoli dhe Benfica kryesuan grupet e tyre në nëntor - përpara Liverpoolit dhe PSG-së - për t'u vendosur mirë në short dhe për të shmangur skuadrat si Real Madridi, Bayerni dhe Manchester City. Napoli udhëton në Frankfurt më 21 shkurt të përballet me Eintrachtin dhe Benfica luan të mërkurën në Brugge. Të dyja ekipet janë favorite për titujt e kampionit në ligat vendase. A mund të pasojë një titull i pakapshëm i Ligës së Kampionëve?

Benfica nuk ka qenë kampione evropiane që nga viti 1962, Napoli nuk u afrua kurrë. Sidoqoftë, Napoli nuk bëri lëvizje në afatin kalimtar, ndërsa Benfica e shiti mesfushorin argjentinas, Enzo Fernandez, te Chelsea për 120 milionë euro. Benfica duhet të ketë mjaftueshëm forcë për të eliminuar Bruggen, e cila shkarkoi trajnerin Carl Hoefkens në dhjetor pas rezultateve të dobëta në Belgjikë, pavarësisht arritjes në Ligën e Kampionëve.

Superliga Evropiane

Në nëntor, Barcelona dhe Juventusi nuk arritën të avanconin nga faza e grupeve në Ligën e Kampionëve ndërkohë që së bashku me “rebelin” tjetër të Superligës Evropiane, Real Madridin, prisnin lajmin për sfidën e tyre ligjore ndaj UEFA-s në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg. Mendimi fillestar jodetyrues i gjykatës në dhjetor ishte mospajtimi me pretendimin e klubeve se UEFA ka kontrollin monopol të garave evropiane. Vendimi përfundimtar i 15 gjyqtarëve pritet pas pak javësh.

Barcelona tani kryeson La Ligan dhe ka një lojë të shkëlqyer këtë javë me Manchester Unitedin në fazën eliminatore të Europa League. Juventusi, i cili pret Nantesin në Ligën e Evropës të enjten, ka probleme të tjera - një dënim prej 15 pikësh në Serie A gjatë një hetimi penal shkaku i mashtrimit financiar, i cili çoi në dorëheqjen e bordit të drejtorëve.