Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrëshqitjet e PSG-së u japin shpresë rivalëve të Ligue 1

A mund të ketë vërtet një garë për titull në Francë këtë sezon? Kjo është pyetja që bëhet pasi Paris Saint-Germaini pësoi humbjen e dytë në vitit 2023 për t'u dhënë shpresë rivalëve të tij në gjysmën e fazës së këtij sezoni. Në fillim të sezonit pyetja ishte nëse PSG-ja e Lionel Messit, Kylian Mbappes dhe Neymar mund ta përfundonte gjithë sezonin pa humbje në ligë. PSG-ja ishte e pamposhtur në 16 ndeshjet e para, por kjo ecuri përfundoi kur u përballen me sfiduesin më të afërt, Lensin në ditën e Vitit të Ri. Me Messin që ishte në pushim pas Kupës së Botës, PSG-ja u trondit në një atmosferë frikësuese në veriun e largët të Francës dhe e humbi atë ndeshje 3:1. Të dielën, ata pësuan humbjen e dytë radhazi në udhëtim, duke humbur 1:0 nga ndjekësit e Ligës së Kampionëve, Rennes, pavarësisht se kishte për herë të parë në përbërje treshen Messi, Mbappe dhe Neymar që nga Kupa e Botës. Lens dhe Rennesi janë dy nga klubet më të drejtuara në Francë dhe dy nga skuadrat më të forta në shtëpi, kështu që humbja ndaj këtyre kundërshtarëve nuk është turp. Por është mënyra në të cilën PSG-ja është mposhtur që është një shkak shqetësimi për trajnerin Christophe Galtier. Skuadra e tij ende nuk e ka rizbuluar formën që gëzonte përpara se sezoni të ndalonte për Kupën e Botës. Tani është në horizont një ndeshje e vështirë, ajo e 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut.

“Nëse është çështje kohe, atëherë është urgjente. Mund të gjejmë një mijë justifikime, lojtarët tanë u shpërndanë kudo për javë të tëra. Por Kupa e Botës ka përfunduar tani”, tha Galtier.

Sezoni i PSG-së përfundimisht do të përcaktohet nga ajo që ndodh në Evropë dhe një tjetër eliminim nga Liga e Kampionëve në 1/8 e finales kundër Bayernit – një vit pasi ata u eliminuan nga Real Madridi në të njëjtën fazë – mund të jetë shumë e kushtueshme për Galtier. Por një ecuri e thellë në Evropë mund t'i bëjë ata më të prirë të humbasin pikë në Ligue 1, si në vitin 2021 kur arritën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe humbën titullin ndaj Lillet. Ky ishte vetëm sezoni i tretë që nga marrja në pronësi e klubit nga Katari në vitin 2011, në të cilin ata nuk kanë përfunduar si kampionë.

Në gjysmë të këtij sezoni, PSG-ja ka tri pikë më shumë se Lensi dhe pesë më shumë se Marseille, që ka një ndeshje më pak të luajtur në udhëtim. Lens, titulli i vetëm i ligës i të cilit deri më tani erdhi në vitin 1998, ka qenë i jashtëzakonshëm këtë sezon nën drejtimin e trajnerit Franck Haise dhe ka fituar 10 ndeshje rresht në “Stade Bollaert”, ku turmat e mbushura prej 38,000 janë më të mëdha se popullsia e vetë qytetit. I zhytur në traditën e klasës punëtore të një rajoni të minierave të qymyrit, Lensi është një botë larg dritave të ndritshme dhe magjepsjes së Parisit. Klubi ka një buxhet modest dhe u detyrua të shiste disa lojtarë kyç në sezonin e fundit, por është një shembull i ndritshëm për skuadrat e tjera franceze të renditjes së mesme se çfarë mund të arrihet. Ndërkohë, Marseille ka lënë pas një eliminim të dhimbshëm nga Championsi në fillim të nëntorit dhe ka fituar të gjitha, gjashtë ndeshjet e ligës të luajtura që atëherë. Nën drejtimin e trajnerit kroat Igor Tudor, Marseille është kthyer fuqishëm dhe po kërkon ta sfidojë PSG-në. Madje, tashmë ka më shumë pikë sesa kur drejtohej nga Marselo Bielsa dhe kryesonte tabelën në gjysmë të sezonit 2014/15 përpara se të humbiste përfundimisht.

“Ne kemi 42 pikë, por jemi vetëm të tretët”, tha Tudor. “Kjo do të thotë se dy ekipe të tjera po bëjnë punë të shkëlqyer. Ne jemi në gjysmë të rrugës së një maratone dhe do të shohim se kush mund ta vazhdojë atë”.