Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rruga e Gnabryt deri te gjiganti gjerman Bayern

Serge Gnabry qau kur nuk u lejua të bënte lëvizjen e tij të ëndrrave për te Bayern Muencheni kur ishte fëmijë.

Ai ishte vetëm dhjetëvjeçar dhe babai i tij Jean-Hermann nuk donte që i riu i talentuar të futej në akademinë e gjigantit gjerman, që ishte larg nga shtëpia e tyre në Stuttgart.

“Unë doja t’i bashkohesha Bayernit. Bayerni ishte klubi më i mirë qysh atëherë. Më u deshën 12 vite për t’iu bashkuar Bayernit”, ka thënë Ganbry për BBC, transmeton Koha.net.

Gnabry u desh të priste derisa mbushi 12 vjet për t’iu bashkuar sistemit të rinjëve të Stuttgartit. Për katër vite – në vitin 2011, në moshën 16-vjeçare – ai mori rrugën për te Arsenali në Premier League.

“Jam i lumtur se si shkuan gjërat. Rruga që mora më ka bërë lojtarin që jam sot”, ka thënë Gnabry, që është kthyer në Gjermani dhe është bërë yll te Bayerni.

Gnabry 24-vjeçar do të jetë sërish në qendër të vëmendjes të martën (sonte) kur Bayerni të luajë si mysafir i Chelseat në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.

Në vizitën e tij të fundit në Londër, ai shënoi katër gola në fitoren 7:2 të Bayernit ndaj Tottenhamit në fazën e grupeve të Championsit në tetor.

Është një qytet që sulmuesi e njeh mjaft mirë. Ai kaloi katër vite te Arsenali, para se të largohej për t’iu bashkuar Werder Bremenit në verën e vitit 2016.

“Ishte shumë emocionale në fillim. Por, edhe e frikshme, pasi ishte një botë aq e madhe”, ka thënë Gnabry për transferimin e tij te Arsenali. “Efekti kulturor më ka ndihmuar shumë dhe më ka ndihmuar të rritem. Si 16-vjeçar, të largohesh nga prindërit, nga rrethi yt, të bën të rritesh pak më shpejt”.

Babai i Gnabryt udhëtoi me të në Londër, duke e shoqëruar të birin në rrugëtimin e tij të futbollit njëjtë siç e shoqëronte nëpër stërvitje si fëmijë.

Por, ishte një periudhë tranzicioni në jetën e tinejxherit. Atij i mungonte pjesa tjetër e familjes, shoqëria dhe shkolla.

“Ishte kohë e vështirë. Futbolli anglez është pak më i vështirë në grupmosha të reja sesa që është në Gjermani, kështu që duhet të adaptohesh me këtë”, ka treguar Gnabry. “Mendoj se të gjithë që shkojnë nëpër skenar të ngjashëm përjetojnë njëjtë. Por, në fund është një përvojë që të bën të rritesh”.

Ai u ndihmua të përshtatej te Arsenali nga reprezentuesit e Gjermanisë, Mesut Oezil e Per Mertesacker. Oezil ishte një lojtar të cilin e kishte Gnabry idhull në fëmijëri. Mertesacker e mori të riun nën direktiva dhe u bë model për të dhe e mësoi të merrte përgjegjësi.

Sulmuesi i shpejt e impresionoi trajnerin e atëhershëm të Arsenalit, Arsene Wenger dhe iu ofrua mundësia për të debutuar në moshën 17-vjeçare. Loja ofensive e Arsenalit iu përshtat, por një lëndim i gjurit ndali hovin e tij.

Pasi u rikuperua ai kishte probleme për të siguruar minutazhë në skuadrën e parë, kështu që u huazua te West Bromwich Albion, ku bëri vetëm një ndeshje në Premier League me këtë klub.

Kryetrajneri i West Bromwichit, Tony Pulis i tha mediumeve se ai nuk është i gatshëm të luajë futboll elitar.

Wenger nuk dëshironte që Gnabry të largohej nga Arsenali. Francezi kishte besim se lojtari do të rikthej besimin, por ajo periudhë e vështirë me West Bromwichin e bindi Gnabryn se është koha të kthehet në vendlindje.

Në gushtë të vitit 2016, Gnabry iu bashkua Werder Bremenit, ndonëse ishte kërkuar nga Bayern Muencheni në atë kohë. Ai iu bashkua Werderit pasi u këshillua me Mertesackerin e Oezilin.

“Unë e dija se duhet të luaja në një nivel të lartë dhe Gjermania kishte përparuar shumë që nga largimi im. Mendova se duhet të kthehem”, ka treguar Gnabry, që nuk vlerëson se ka çfarë t’u dëshmojë tifozëve anglezë.

Alexander Nouri ishte njeriu në krye të Werderit kur Gnabry erdhi. Tash trajner i përkohshëm të Hertha e Berlinit, Nouri e mban në mend se e merrte Gnabryn me vete në stërvitje duke ushtruar gjuajtjet me këmbën e majtë të cilën Gnabry e kishte më të dobët.

Gnabry shënoi 11 gola në ligë në stinorin 2016-17. I siguroi një transferim te Bayerni për tetë milionë euro. Ai u huazua për një stinor tjetër, te Hoffenhemi, ku shënoi dhjetë herë në 22 ndeshje në Bundesligë. Mirëpo, Nouri beson se te Bayerni, Gnabry u bë lojtar i kompletuar.

Gnabry i ka thënë Nourit se kishte mësuar shumë nga ish-yjet e Bayernit, Franck Ribery e Arjen Robben.

“Nëse përkushtohesh në mënyrë të tillë në futboll, atëherë sukseset vijnë”, thotë Nouri.

Ky përkushtim është duke u shpaguar. Gnabry asistoi dy gola dhe shënoi golin e tij të 15-të të stinorit për Bayernin, në fitoren 3:2 ndaj Paderbornit të premten. Ai mbetet i uritur për më tepër.

“Është shprehi se gjithmonë dëshiron më tepër, të krijosh më tepër. Duhet të tentosh të përmirësohesh me çdo ndeshje”, ka thënë Gnabry.

Nëse gjërat shkojnë sipas planit, atëherë Gnabry do të ketë një sfidë të radhës. Do të shijojë turneun e parë të madh me përfaqësuese. Gjermania gjendet në një grup të vështirë në Evropianin 2020 me kampionin e botës Francën, kampionin në fuqi Portugalinë dhe në këtë grup pritet të jetë fituesi i plejofit të Ligës D në Ligën e Kombeve. Në plejof janë Gjeorgjia, Bjellorusia, Maqedonia e Veriut e Kosova.

Pasi ndau epitetin e golashënuesit më të mirë në Lojërat Olimpike të vitit 2016, ku Gjermania e fitoi medaljen e argjendtë, Gnabry u ftua nga seleksionuesi i Gjermanisë, Joacim Loew në përfaqësuesen “A”. Ai debutoi në nëntor të vitit 2016 dhe menjëherë la gjurmë me tre gola të shënuar kundër San Marinos.

Forma e tij e lartë me përfaqësuese ka vazhduar. Ai ka shënuar 13 gola në 13 ndeshje.

Loew kishte dashur të përfshinte Gnabryn edhe në skuadrën për Botërorin 2014, të cilën Gjermania e fitoi. Por, ai nuk u ftua për shkak të lëndimeve që pati.

“Unë definitivisht po shikoj para dhe po shpresoj t’ia dal kësaj radhe”, ka thënë Gnabry. “Ne kemi një skuadër me shpirt të madh, shumë lojtarë të rinj dhe besoj se mund të arrijmë larg”.

Artikuj të ngjashëm