Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, do ta bëjë publike të mërkurën listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e këtij muaji. Lista do të publikohet në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa Challandes para gazetarëve do të paraqitet të hënën.
Megjithatë, situata para publikimit të listës nuk është më e favorshmja, kryesisht për shkak të ndikimit të koronavirusit.
Në kampin e Përfaqësueses thonë se asnjë lojtar që ka pranuar ftesë për ndeshjet e këtij muaji nuk ka njoftuar deri më tani se do të mungojë shkaku i COVID-19. Por nuk japin garanci nëse të gjithë të ftuarit do të mund të vijnë, shkaku i situatës me koronavirus.
Si pasojë e situatës me pandeminë, e pasigurt së fundi është ardhja e sulmuesit të klubit suedez, Hammarby, Astrit Selmani.
Në klubin ku aktivizohet Selmani, Hammarby, hiç më pak se 16 futbollistë dhe pesë anëtarë të tjerë të skuadrës kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirus. Infektimin e 16 lojtarëve dhe karantinimi i menjëhershëm i gjithë skuadrës, ka konfirmuar drejtori sportiv i Hammarbyt, Jesper Jansson, të martën për faqen zyrtare të klubit. Jansson nuk i ka zbuluar emrat e futbollistëve të infektuar, por ka shtuar se të gjithë ata që kanë dalë pozitivë me COVID-19 janë me simptoma të lehta.
Selmani është një prej lojtarëve që ka marrë ftesë nga përzgjedhësi Challandes. Ai është dashur të grumbullohej për herë të parë.
Në planet e Challandesit për ndeshjen miqësoren ndaj Lituanisë dhe dy ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”, ndaj Suedisë dhe Spanës, ishin edhe Valmir Sulejmani e Florent Muslija. Por një bashkëlojtar i tyre te Hannoveri është infektuar me koronavirus dhe për këtë arsye e gjithë skuadra e Bundesligës 2 është karantinuar. Mbetet të shihet nëse Selmami, Muslija e Sulejmani do të jenë në listë dhe nëse do të grumbullohen me Përfaqësuesen.
Ndaj Suedisë, Kosova luan në “Fadil Vokrri” më 28 mars, kurse pas tri ditësh kundër Spanjës në Sevilla. Miqësorja me Lituaninë është më 24 mars.
Menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka thënë të martën për KOHËN se situata është e mirë me lojtarët, por mund të ndryshojë.
“Krejt çka mund të them është që deri tash asnjë lojtar nuk ka mbetur jashtë për shkak të COVID-19. Të gjithëve që u janë dërguar ftesat, mund të vijnë. Emra nuk mund të jap për askënd. Deri tash ashtu është, nesër mund të ketë ndryshime”, ka thënë Shala.
Në fakt, edhe në ndeshjet e vitit të kaluar Kosova ka pasur telashe të mëdha me koronavirusin, njëjtë si të gjitha përfaqësueset e tjera. Por te Kosova kanë vlerësuar se janë ndier më shumë mungesat. Situata e vitit të kaluar mund ta përcjellë Përfaqësuesen edhe këtë vit, meqë shumë shtete ku edhe paraqiten lojtarët e “Dardanëve” kanë masa strikte në luftën ndaj koronavirusit.
Se situata mund të jetë e rënduar nuk e ka përjashtuar as Federata e Futbollit e Kosovës në përgjigjet e mëhershme dhënë për KOHËN.
Për tri ndeshjet, Kosova ka planifikuar të grumbullohet të hënën, kur edhe Challandes ka vendosur ta mbajë konferencën për media. Por, edhe në këtë grumbullim janë paralajmëruar masa strikte. Nuk do të ketë prani të shikuesve në stërvitje, ndërsa ato do të lejohen të përcillen nga mediumet vetëm 15 minutat e para. Edhe në hotel lojtarët do ta kenë të ndaluar t’i presin për vizitë familjarët. Në ndeshje do të jetë numri i limituar i zyrtarëve, i mysafirëve e po ashtu edhe i mediave. Shikues nuk do të ketë.