Annet Negesa vetëm sa kishte përfunduar stërvitjen në Kampala të Ugandës në qershor të vitit 2012, kur mori një telefonatë nga mjeku i Federatës Botërore të Atletikës (IAAF). Ai i tha asaj se nuk do të mund të garonte në lojërat olimpike “Londra 2012”, pasi niveli i testosteronit të saj ishte tepër i lartë për të garuar.
“Unë shkova në shtëpi dhe nisa të qaja”, rikujton ajo.
Negesa ishte 20-vjeçare në atë kohë dhe një nga atletet elitare në vendin e saj, një vrapuese premtuese e shtigjeve të mesme që kishte vendosur rekord nacional në 800 metra më herët atë vit në një miting në Hengelo të Holandës. Ajo ishte kampione e trefishtë nacionale dhe mori të artën në Lojërat e Afrikës në vitin 2011. Federata e Atletikës e Ugandës e shpalli atë atlete të vitit, shkruan sot Koha Ditore.
Federata Botërore e Atletikës nuk e kapi Negesan duke përdorur doping. Por, ajo është një atlete hermafrodite.
Ajo identifikohet si femër, është lindur me gjenitale të jashtme të femrës, por ka edhe gjenitale të brendshme të mashkullit që prodhojnë sasi të testosteronit si te meshkujt. Sipas zyrtarëve të sportit, kjo i dha asaj një avantazh jo të drejtë ndaj shumicës së femrave në gara.
Por, ajo që e bën Negesan ndryshe nga shumë atletë me dy gjinitë, është se ajo u mundua të ndryshonte trupin e saj me operim në mënyrë që të vazhdonte të garonte. Negesa thotë se mjeku i Federatës Botërore të Atletikës ia rekomandoi këtë. Federata e mohon.
Për shtatë vjet, Negesa 27-vjeçare tash, ka refuzuar të flasë se çfarë kishte ndodhur. Por, koha ka bërë pak për të shëruar plagët e saj.
Operimi që shkoi keq
“Tash e shoh trupin tim shumë ndryshe. Nuk e di se si të flas për këtë”, thotë ajo.
Edhe
Atletja Semenya fiton apelin kundër rregullave të testosteronit
Vitet që nga operimi kanë qenë luftë. Negesa u përball me dhimbje të vazhdueshme të kokës dhe me dhembje të nyjave. Kujdesi pasoperativ, thotë ajo, nuk përfshiu atë trajtim hormonal që ishte dashur për të ndihmuar trupin e saj të përshtatet me ndryshimin.
“Ajo që i ndodhi Annetit është e rrezikshme dhe ndodhi pasi donte të garonte”, thotë Payoshni Mitra, një hulumtuese dhe aktiviste në gjini dhe sportet që ka ligjëruar në temën e sportistëve hermafroditë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)