Sport

Rrëfimi inspirues i Grevistit

Nuk e ka të veçantë vetëm emrin. E ka të veçantë edhe rrëfimin jetësor.

Grevistin, djaloshin plot vullnet nga Malisheva, e ka sfiduar seriozisht jeta. Në moshë fare të re ai mbeti pa njërin krah. Të djathtin. Një incident me rrymën elektrike e la pa dorë. Incidenti ndodhi derisa po luante futboll dhe po e merrte topin e lojës.

Përmes një sporti tjetër ai po e gjen vendin e vet të rëndësishëm në shoqëri.

“Vrapon shumë. Nuk ndalet kurrë”, thotë një futbollist i spikatur i Malishevës, derisa na tregon për Grevist Bytyqin, sportistin me të cilin zakonisht ndan stadiumin ende në ndërtim në Malishevë. Futbollistët zhvillojnë stërvitjen në fushë, ndërsa shtegu i ri me tartan i atletikës është i rezervuar për atletët e klubit Malisheva. Nuk janë shumë, pesë-gjashtë. Por janë të suksesshëm. Të paktën dy prej tyre vlerësohen me shumë potencial për të ardhmen.

Në krye të grupit të vrapuesve është Grevisti. 30-vjeçari udhëton çdo ditë nga fshati Kervasari për në Malishevë. Bën rreth 8 kilometra rrugë. Shumë kilometra të tjera i kalon duke vrapuar. Në shtegun e atletikës në stadiumin në Malishevë. Në këtë shteg tani po mbahen edhe garat e atletikës kosovare. Në to merr pjesë rregullisht Grevisti. Sivjet ka pasur rezultate për lakmi.

“Stërvitje kemi gjashtë herë në javë. Stërvitja zgjat një orë, një orë e gjysmë. Unë garoj në vrapimet e mesme, 800, 1500, 3000 metra. Rezultatet më të mira i kam në 800 metra. Kam rekord të mirë”, tregon Grevist Bytyqi.

Këtë vit Grevisti si gjithë atletët e tjerë të vendit ka vrapuar në nëntë gara. Në pesë prej tyre ka zënë vend në podium.

“Kam garuar edhe jashtë Kosovës, në Elbasan e në Shkup. Shtegu që tani kemi këtu na ka ndihmuar shumë. Shpresoj të kemi rezultate edhe më të mira. Përkrahjen e kemi të mirë, po ashtu edhe raportet me trajnerin. Edhe me klubin e Federatën bashkëpunojmë shumë mirë”, ka shtuar Bytyqi.

Ai është prej atletëve të mirë të vendit, ndonëse pa njërën dorë e ka shumë më të vështirë se konkurrentët. Kur del në shteg vrapon i barabartë me të tjetër. Nuk gjen arsyetime e justifikime. Ka gjashtë vjet që është pjesë e klubit.

Buzëqeshja që nuk i ndahet

Grevistit rrallë i largohet buzëqeshja nga fytyra. Rri i buzëqeshur edhe derisa flet. Vetëm kur vendoset në korsi të shtegut bëhet më serioz. Atletët e tjerë të Malishevës, më të rinj në moshë, e dëgjojnë. Janë falënderues për këshillat që ua jep. Ai në një mënyrë e udhëheq stërvitjen në koordinim me trajnerin Adrian Mazreku. Mban tempin, u tregon të tjerëve kur të shpejtojnë e kur të ngadalësojnë.

Grevisti e çmon atletikën, vrapimin. Thotë se ka përzgjedhur atletikën pasi është sport i gjithanshëm. Nuk e ka ndërmend të largohet prej “mbretëreshës së sporteve”. Socializimi është tjetër faktor.

“Do të vazhdoj edhe për disa vjet me atletikë. Shpresoj të jem i suksesshëm. Synimet i kam të mëdha, të marr pjesë në gara jashtë Kosovës, pasi deri më tani jam paraqitur vetëm në rajon. Me atletikë kam vendosur të merrem sepse është sport i gjithanshëm, të jep shumë të drejta dhe mund ta gjesh veten. Unë e kam gjetur veten dhe jam shumë i kënaqur, pasi kam bërë shumë shoqëri”.

Mst: Loja “fatkeqe” me top

Grevisti kishte humbur dorën derisa po luante me top në “Lakërishtë”, në Prishtinë. Ishte te daja kur doli për të luajtur. Tregon se topi i kishte rënë në një trafo që ishte e hapur. Derisa po largohej, dora i kishte rënë në kontakt me një shufër hekuri dhe e kishte zënë rryma. Dora e djathtë më pas iu amputua.

Aktualisht Grevisti ka rezultate që do t’i garantonin vend në finale të vrapimit në 1500 metra në Lojëra Paralimpike. Është kjo ngjarja më e madhe sportive për sportistët me aftësi të kufizuara.

Por Kosova nuk është pjesë e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar dhe ky fakt po e godet shumë Grevistin. Në fakt, vlerësohet pak absurde që Kosova është e pranuar në të gjitha organizatat sportive e nuk është ende pjesë e familjes paralimpike.

Synimet e mëdha të Grevistit lidhen me paralimpizëm.

“Dëshira ime e madhe është të marr pjesë në garat paralimpike. Jemi duke punuar shumë në këtë aspekt. Besoj se nuk do të më mungojnë sukseset. I kam përcjellë ato gara dhe e di që ka atletë shumë të fortë. Por mendoj se i kam rezultatet për të fituar medalje pasi dëshira ime është ta bëj krenare Kosovën, sikurse familjen dhe miqtë”, thotë Bytyqi.

Klubi Malisheva është formuar në vitin 1999. Trajneri Adrian Mazreku vlerëson rezultatet e Grevistit në skenën vendore, ndërsa për skenën ndërkombëtare thotë se vrapuesi do të ishte i suksesshëm në gara paralimpike. Tregon se klubi e ka përkrahur vazhdimisht. Po ashtu edhe Federata e Atletikës.

“Këto rezultate janë diçka e mirë dhe besoj se ai do të dilte mirë në garat e kampionatit evropian, atij botëror apo në Lojërat Paralimpike. Mirëpo problematikat janë të ndryshme që Grevisti nuk mund të paraqitet në këto gara. Një prej arsyeve është që Komiteti Paralimpik nuk është i pranuar ndërkombëtarisht. Kemi tentuar të paraqitemi si individë, por kemi marrë përgjigje negative”, ka treguar Mazreku.

Në rrethana të tjera, Kosova me Grevistin do ta kishte një kandidat për medalje në Lojërat Paralimpike që u mbajtën në Tokio, menjëherë pas Lojërave Olimpike.

“Unë i kam përcjellë rezultatet në disiplinat e Grevistit. Dhe bazuar në rezultate, Grevisti do të arrinte në finalen e 1500 metrave. Me kalimin e viteve ne presim që Grevisti do të paraqitet edhe në garat ndërkombëtare dhe do të kemi rezultate të mira në përgjithësi”, ka thënë trajneri i atletëve të Malishevës.

Lojërat Paralimpike të ardhshme mbahen në Paris në vitin 2024. Grevisti shpreson që deri atëherë t’i sigurohet e drejta për të garuar. Ndërkohë do të vazhdojë t’i bëjë kilometrat e tij dhe do të mbledhë medalje e diploma në gara vendore. Natyrisht, me buzëqeshjen që nuk i ndahet thuajse asnjëherë.

 
Rrëfimi inspirues i Grevistit

Rrëfimi inspirues i Grevistit Nuk e ka të veçantë vetëm emrin. E ka të veçantë edhe rrëfimin jetësor. Grevistin, djaloshin plot vullnet nga Malisheva, e ka sfiduar seriozisht jeta. Në moshë fare të re ai mbeti pa njërin krah. Të djathtin. Një incident me rrymën elektrike e la pa dorë. Incidenti ndodhi derisa po luante futboll dhe po e merrte topin e lojës.

Posted by Sporti në KTV on Saturday, January 1, 2022