Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rossi tregon se a do të eksperimentojë Hungaria ndaj Kosovës

Te Përfaqësuesja e Hungarisë e vlerësojnë maksimalisht ndeshjen miqësore ndaj Kosovës. Selektori i Hungarisë, Marco Rossi, ka paralajmëruar ndryshime në përbërje, por që do të bëhen me qëllim të caktuar.

Miqësorja Hungari – Kosovë zhvillohet të martën prej orës 19:00 në “Pushkash Arena” në Budapest. Stadiumi pritet të jetë i mbushur me shikues.

Hungaria të premten e mposhti 1:0 Turqinë, ndërsa është në seri prej 13 ndeshjeve pa humbje. Edhe Kosova është në moment të mirë. Të premten fitoi 1:0 ndaj Armenisë.

“Çdo gjë që bëjmë ka qëllim të caktuar. Ne nuk eksperimentojmë. Do të ketë ndryshime në krahasim me ndeshjen ndaj Turqisë. Por do të jenë lojtarë në të cilët llogarisim për Kampionat Evropian. Nuk do të provojmë elemente taktike apo formacione që nuk na shërbejnë për Kampionat Evropian. Synimi primar është përgatitja për turneun në Gjermani, ndërsa qëllimi afatgjatë është zhvillimi i mëtejmë”, ka thënë Rossi në konferencë për shtyp.

Ai nuk sheh ngjashmëri në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

“Janë në nivele të ndryshime dhe stili i tyre i lojës ndryshim. Loja e Zvicrës është më dominuese. Zviceranët e kanë posedimin e topit, shikojnë për hapësira, të cilat i fitojnë me driblim, duke fituar duelet. Kosova në anën tjetër luan më shumë futboll direkt. Kështu që mund të flasim për dy ekipe të ndryshme përfaqësuese, sa i takon personalitetit dhe stilit të lojës”, ka theksuar Rossi.

Ndonëse fituan ndaj Turqisë, te Hungaria nuk ishin shumë të kënaqur me paraqitjen. Dhe ndaj Kosovës synohet paraqitje më bindëse. Përkrahja e fuqishme nga tribunat pritet të jetë “armë shtesë” për hungarezët, që në kualifikime për Evropian patën kampanjë impresive.

“Një ditë pas ndeshjes me Turqinë, kemi analizuar gabimet dhe kemi diskutuar se çka duhet të ndryshojmë. Nuk ishim kohë të gjatë së bashku dhe duhet kohë që gjërat të automatizohen përsëri. Ne reagojmë mirë në këto situata, kur gjërat nuk ecin si duhet, dhe kjo tregon forcën e ekipit. Natyrisht, jemi të lumtur për fitoren. Por ndaj Kosovës duhet të luajmë me më pak gabime”, ka thënë mbrojtësi i Hungarisë, Adam Lang.

Në Evropian, Hungaria është në Grupin A së bashku me Gjermaninë, Zvicrën e Skocinë.

Artikuj të ngjashëm