Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ronaldo mungon, Salah i bashkohet Messit e Lewandowskit në garën për çmimin e FIFA-s

Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, u la jashtë listës së ngushtë prej tre lojtarëve, të publikuar të premten, që konkurrojnë për çmimin e futbollistit më të mirë të FIFA-s për vitin 2021. Mohamed Salah ka zënë vendin e portugezit në treshen finale.

Gjashtë herë fituesi i çmimit të FIFA-s, Lionel Messi, si dhe Robert Lewandowski, janë kandidatët e tjerë për të fituar çmimin i cili do të ndahet më 17 janar.

Lewandowski e fitoi vitin e kaluar këtë çmim përpara Ronaldos dhe Messit. Asnjë lojtar nga ekipi fitues i Kampionatit Evropian të Italisë ose skuadra e Chelseat që triumfoi në Ligën e Kampionëve nuk ka pasur vend në listën përfundimtare.

Ronaldo, që e ka fituar pesë herë këtë çmim, dështoi të ishte në mesin e tre më të mirëve për herë të dytë qëkur u nominua për herë të parë për çmimet e FIFA-s në vitin 2007. Ai mbeti jashtë finales së vitit 2010, kur Messi fitoi përpara Andres Iniestas dhe Xavi Hernandezit.

Juventusi me Ronaldon në skuadër humbi titullin e kampionit në Serie A pas një kohe të gjatë vitin e shkuar, duke u renditur në vendin e katërt. Ndërsa Portugalia si kampione në fuqi e Evropës u eliminua në 1/8 e finales në “Euro 2020”.

Edhe FIFA publikon listën e ngushtë për lojtarin e vitit Sport FIFA publikon listën e ngushtë për lojtarin e vitit

Salah u shpërblye për një tjetër vit të spikatur me Liverpoolin, duke iu bashkuar listës së ngushtë për herën e dytë në karrierë. Ai qe renditur i treti në vitin 2018, pas fituesit Luka Modriq dhe Ronaldos. Në një vit kur Messi u transferua nga Barcelona te Paris Saint-Germaini, ylli i futbollit arriti kulmin e karrierës me përfaqësuese duke e ndihmuar Argjentinën të triumfonte në Copa America.

Për Messin ky ishte titulli i parë me ekipin A të Argjentinës. Falë këtij suksesi, Messi fitoi trofeun e tij të shtatë të “Topit të Artë”, muajin e kaluar.

Lewandowski theu dy rekorde të Bundesligës duke shënuar 41 gola për Bayern Munichun në edicionin 2020/21. Shënoi 43 gola në vitin kalendarik 2021. Të dy këto rekorde mbaheshin që nga viti 1972 nga një tjetër lojtar i madh i Bayernit, Gerd Mueller.

Votimi u krye nga trajnerët dhe kapitenët e përfaqësueseve, mediat e specializuara dhe tifozët, duke bërë zgjedhjet e tyre në uebfaqen zyrtare të FIFA-s. Ata zgjedhjet i bënë nga një listë më e gjatë e lojtarëve të propozuar nga panelet e emëruara nga FIFA.

Edhe Messi nominohet për lojtar të vitit nga FIFA Futboll Messi nominohet për lojtar të vitit nga FIFA

Shoqet e skuadrës së Barcelonës, Alexia Putellas dhe Jennifer Hermoso, si dhe Sam Kerr e Chelseat, u vendosën në listën e ngushtë për futbollisten e vitit të FIFA-s.

Putellas e fitoi “Topin e Artë” muajin e shkuar, me Hermoson që doli e dyta dhe Kerr që ishte e treta në renditje. FIFA do të shpallë fituesit në një ceremoni online nga selia e saj në Zuerich.