Lionel Messi udhëheq listën prej 14 lojtarëve që kandidojnë për futbollistin më të mirë të vitit 2022 sipas FIFA-s. Messi është kandidat për çmimin “The Best”, pasi udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të botës.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA, ka publikuar listën të enjten. Votimi do të jetë i hapur deri më 3 shkurt, ndërsa fituesi të shpallet në ceremoninë e FIFA-s.
Messi është pretendent, pasi ka shënuar shtatë gola në shtatë ndeshje në Botërorin në Katar. Ai ka shkëlqyer dhe ka udhëhequr Argjentinën drejt titullit të pritur gjatë. Po ashtu u shpall më i miri i Botërorit.
Por nuk është e sigurt që Messi do ta fitojë çmimin The Best, marrë për bazë që vlerësohet paraqitja prej gushtit të vitit 2021 deri në dhjetor 2022.
Kylian Mbappe, bashkëlojtari i Messit te PSG-ja është kandidat tjetër i fortë.
Edhe
Messi nominohet për lojtar të vitit nga FIFA
Ka edhe disa emra befasues në listën e ngushtë. Ai i Julian Alvarezit, për shembull. Apo i anglezit Jude Bellingham.
Premier League është e përfaqësuar me Erling Haalandin, Kevin De Bruynen dhe Mohamed Salahun.
Real Madridi i ka tre lojtarë në konkurrencë, pasi fitoi vjet Ligën e Kampionëve. Pos Karim Benzemas, që fitoi Topin e Artë vjet, në listë për më të mirin e FIFA-s janë Vinicius Jr dhe Luka Modriq.
Prej PSG-së janë edhe Neymari dhe Achraf Hakimi.
Robert Lewandowski i Barcelonës dhe Sadio Mane i Bayernit kompletojnë listën.
Edhe
Messi, kandidat për çmimin e FIFA-s
Cristiano Ronaldo ka mbetur jashtë listës së kandidatëve pas një viti dëshpërues.
FIFA shpall më të mirët edhe në shumë kategori të tjera. Në fillim të shkurtit shpallen listat e ngushta me nga tre kandidatë.