Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, u la jashtë listës së ngushtë prej tre lojtarëve të publikuar të premten për çmimin e futbollistit më të mirë të FIFA-s për vitin 2021, me Mohamed Salahun që ka zënë vendin e portugezit. Gjashtë herë fituesi i çmimit të FIFA-s, Lionel Messi, dhe Robert Lewandowski janë gjithashtu kandidatë për të fituar çmimin, i cili do të ndahet më datën 17 janar.
Lewandowski e fitoi vitin e kaluar këtë çmim përpara Ronaldos dhe Messit.
Asnjë lojtarë nga ekipi fitues i Kampionatit Evropian të Italisë ose skuadra e Chelseat, që triumfoi në Ligën e Kampionëve, nuk ka pasur vend në listën përfundimtare.
Ronaldo, që e ka fituar pesë herë këtë çmim, dështoi të ishte në mesin e tre më të mirëve për herë të dytë qëkur u nominua për herë të parë për çmimet e FIFA-s në vitin 2007. Ai humbi çmimin e vitit 2010 kur Messi fitoi përpara Andres Iniestas dhe Xavi Hernandezit.
Salah u shpërblye për një tjetër vit të spikatur me Liverpoolin duke iu bashkuar listës së ngushtë për herën e dytë në karrierë. Ai u pati renditur i treti në vitin 2018 pas fituesit Luka Modriq dhe Ronaldos.
Edhe
Shpallet futbollisti më i mirë i Botërorit
Në një vit kur Messi u transferua nga Barcelona te Paris Saint-Germaini, ai arriti kulmin e karrierës duke e ndihmuar Përfaqësuesen e Argjentinës të triumfonte në Copa America. Për Messin, ky ishte titulli i tij i parë me ekipin A të Argjentinës. Falë këtij suksesi, Messi fitoi trofeun e tij të shtatë të “Topit të Artë” në karrierë muajin e kaluar.
Lewandowski theu dy rekorde të Bundesligës duke shënuar 41 gola për Bayern Munichun në sezonin 2020/21 dhe 43 gola në vitin kalendarik 2021. Të dy këto rekorde mbaheshin që nga viti 1972 nga një tjetër lojtar i madh i Bayernit, Gerd Mueller.
Votimi u krye nga trajnerët dhe kapitenët e përfaqësueseve, mediat e specializuara dhe tifozët duke bërë zgjedhjet e tyre në uebfaqen zyrtare të FIFA-s. Ata zgjedhjet i bënë nga një listë më e gjatë e lojtarëve të propozuar nga panelet e emëruara nga FIFA.
Bashkëlojtaret e skuadrës së Barcelonës, Alexia Putellas dhe Jennifer Hermoso, si dhe Sam Kerr e Chelseat, u vendosën në listën e ngushtë për futbollisten e vitit të FIFA-s.
Edhe
A mund ta fitojë Messi një tjetër “Top të Artë”?
Putellas e fitoi “Topin e Artë” në konkurrencën e femrave në muajin e shkuar, me Hermoson, që doli e dyta dhe Kerr që ishte e treta në renditje.
FIFA do të shpallë fituesit në një ceremoni online nga selia e saj në Zuerich.