Cristiano Ronaldo është në vitrinë duke pritur blerësin e ri teksa fillon Botërorin e tij të pestë dhe ndoshta të fundit me Portugalinë. Të martën vonë, sulmuesi 37-vjeçari mbeti pa klub pasi Manchester Unitedi ia anuloi kontratën si rezultat i intervistës së tij shpërthyese që kritikonte trajnerin Erik ten Hag, pronarët e klubit dhe shumë nga shokët e tij të skuadrës.
Ronaldo duket se ende nuk ka gjetur ekip të ri, kështu që performancat e tij në Kupën e Botës mund të bindin ende punëdhënësit potencialë që ta transferojnë yllin portugez, i cili mund të ketë kaluar kulmin e tij, por mbetet një nga lojtarët më të mirë të futbollit. Duke folur para njoftimit se ai ishte larguar nga Unitedi me pëlqim reciprok, Ronaldo ishte i bindur se çështjet e klubit nuk do të ndikonin në paraqitjet e tij për Portugalinë në Kupën e Botës dhe nuk po prishnin atmosferën në skuadër që shkon në ndeshjen e Grupit H të enjtes kundër Ganës në “Stadium 974” në Doha prej orës 17:00. Kështu që, Ronaldo do të jetë maksimalisht i motivuar për ta shtyrë Portugalinë drejt triumfit në Kupën e Botës. Ronaldo nuk u paraqit fare të mërkurën në konferencën për shtyp të Portugalisë, ndërsa Bruno Fernandes tha se drama që rrethon përfaqësuesen portugeze dhe ish-bashkëlojtarin e tij tek Unitedi nuk është një shpërqendrim para duelit të parë në Katar.
“Fokusi ynë është 100% te ekipi kombëtar dhe jemi 100% të fokusuar në atë që duhet të bëjmë”, tha Fernandes.
Tani për tani, kjo do të thotë të kapërcejnë Ganën. Gana është skuadra me renditjen më të ulët në Kupën e Botës - në vendin e 61-të - dhe është autsajderi më i madh në një grup që përfshin edhe Uruguain e Korenë e Jugut. Megjithatë, Arabia Saudite tregoi se gjithçka është e mundur në këtë turne duke mposhtur Argjentinën e Lionel Messit të martën, dhe Gana në Botërorin e vitit 2010 ishte pranë kualifikimit në gjysmëfinale.
“Sigurisht që ne duhet të jemi shumë, shumë të guximshëm. Nuk frikësohemi nga Portugalia dhe do ta kërkojmë befasinë”, tha të mërkurën trajneri i Ganës, Otto Addo.
Gana ka gjithashtu disa lojtarë që kanë treguar formë të mirë këtë sezon, si Thomas Partey tek Arsenali dhe Mohammed Kudus që është pjesë e Ajaxit. Portugalia do të startojë si favorite, me trajnerin Fernando Santos që ka aq shumë thellësi në sulm, mesfushë dhe ka përvojën e udhëheqjes së ekipit drejt titullit të Kampionatit Evropian në vitin 2016.
Edhe
Ronaldo u kthye në Portugali me aeroplan privat
“Skuadrat, tani janë gjithnjë e më të forta. Shumica e lojtarëve, si në rastin e Ganës, po luajnë në turne të mëdhenj, kështu që ata janë lojtarë shumë të avancuar “, tha Santos. “Është ndeshje sfiduese, por ne kemi besim. Ne i besojmë punës sonë, i besojmë njëri-tjetrit”.
Shqetësimet vazhdojnë nëse Santos do të aplikojë një lojë pragmatike duke pasur parasysh talentin që ka në dispozicion, por ai është trajneri i Portugalisë tashmë tetë vjet. Santos ka treguar se nuk ka frikë të marrë vendime të vështira duke e lënë Ronaldon në bankën e rezervistëve në një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Spanjës në qershor për “arsye taktike”. Megjithatë, ai një gjë të tillë nuk do ta bëjë në ndeshjen e parë të Botërorit “Katari 2022”. Ronaldo pritet t’i prijë sulmit të Portugalisë në këtë ndeshje, të cilën synon ta fitojë me çdo kusht. Fitorja ndaj Ganës, do të ishte një sinjal i fortë se Portugalia ka udhëtuar në Katar me synime të qarta, ta fitojë titullin e botës.