Manchester Unitedi është duke planifikuar që t’i kryejë testet mjekësore të Cristiano Ronaldos në Lisbonë, para se ta rikthejë në skuadër një nga yjet më të mëdha në histori të klubit.
“Djajtë e Kuq” janë afër finalizimit të marrëveshjes për kontratë dyvjeçare me 36-vjeçarin portugez, që sot u largua nga Juventusi.
“Manchester Evening News” raporton se ish-trajneri i Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka biseduar me lojtarin të premten në mëngjes, kur u raportua se City është klubi i vetëm i interesuar për ta transferuar Ronaldon.
Intervenimi i tij – me mbështetjen e pronarëve të Unitedit – ka bindur Ronaldon që të mendojë rikthimin në klubin nga ku u largua 12 vjet më parë.
Dëshirën për transferimin e tij sot e ka shprehur haptas edhe trajneri i Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, që publikisht u shpreh se “Nëse Ronaldo do të largohej ndonjëherë nga Juve, e di që ne jemi këtu”.