Cristiano Ronaldo është gati ta japë dëshminë e tij dhe të flasë me prokurorët e Torinos për hetimin financiar në të cilën janë të përfshira pagat e lojtarëve të Juventusit.
Ylli portugez ishte prej lojtarëve të Juventusit që hoqi dorë nga paga për katër muaj në marsin e vitit 2020.
Megjithatë, hetuesit kanë gjetur marrëveshje private, të cilat vërtetojnë se lojtarët, megjithatë, kanë marrë pagat e tre muajve.
Ato nuk janë regjistruar në bilancet financiare të klubit dhe Federata e Futbollit të Italisë nuk është njoftuar për një gjë të tillë. Kështu ka shkruar të shtunën mediumi “La Gazzetta dello Sport”.
“Il Corriere della Sera” kishte publikuar në fillim të muajit janar një dokument ku përfshihej Ronaldo, megjithatë, ai dokument ishte nënshkruar vetëm nga ish-drejtori i Juventusit, Fabio Paratici, dhe jo nga portugezi.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Juventusi ende ia ka borxh Ronaldos rreth 19.5 milionë euro.
Ronaldo më herët kishte refuzuar t’u përgjigjej prokurorëve të Torinos, por tani është i gatshëm ta japë dëshminë e tij.