Krerët e Romës i kanë bërë ofertë zyrtare Adnan Januzajt, përcjell “Calciomercato” të hënën.
Bëhet e ditur se ekipi italian i ka ofruar Januzajt kontratë katërvjeçare për t’u transferuar në Romë. Te Roma po e shohin Januzajn si opsion të mirë për ta zëvendësuar Henrikh Mkhitaryanin, i cili ka vendosur të largohet këtë verë. Te Roma, Januzaj do të transferohej si lojtar i lirë pasi tashmë ka konfirmuar largimin nga Real Sociedadi muajin e ardhshëm kur edhe i skadon kontrata. 27-vjeçari sezonin e fundit ishte ndër më të dalluarit tek ekipi spanjoll, me pesë gola e tri asistime në të gjitha garat.
Krahas Romës, interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe skuadrat e tjera nga Serie A, Premier League, Bundesliga e La Liga.