Mbrojtësi i krahut, Marcos Rojo është larguar nga Manchester Unitedi për të kompletuar transferimin e tij te Boca Juniorsi. Kthimin e Rojos në vendlindje, e ka konfirmuar edhe Manchester Unitedi në sajtin zyrtar duke e falënderuar argjentinasin për kontributin e dhënë që nga viti 2014.
“Klubi bën të ditur se Marcos Rojo është kthyer në vendlindje dhe ka firmosur me Boca Juniorsin. Të gjithë në klub i dëshirojmë suksese Rojos”, ka shkruar në njoftimin e ekipit anglez.
30-vjeçari këtë edicion nuk e ka regjistruar asnjë paraqitje për Manchester Unitedin, ekip të cilit iu bashkua nga Sportingu i Lisbonës. Në pjesën e dytë të sezonit të shkuar, Rojo ishte i huazuar te Estudiantesi.