Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rivalët shpresojnë pasi vërejnë dobësi në mbrojtjen e Bayernit

Munich, 1 nëntor (AP) – Edhe pse vështirë se mund të fajësohet, portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer, ka pranuar shtatë gola në dy ndeshjet e tij të fundit. Ndërsa sulmuesit e Bayernit po vendosin rekorde të Bundesligës, mbrojtja e ekipit po u ofron rivalëve një rrugë drejt suksesit që pakkush e kishte provuar më parë.

Shumica e kundërshtarëve përqendrohen së pari në mbrojtjen e tyre, në atë që zakonisht është një përpjekje e kotë për të frenuar formacionin e frikshëm sulmues të Bayernit. Por, Borussia Moenchengladbachu tregoi se sulmi është forma më e mirë e mbrojtjes, kur mposhti Bayernin 5:0 në Kupën e Gjermanisë të mërkurën e kaluar – humbja më e thellë e fuqisë bavareze që nga viti 1978 – dhe Union Berlini tregoi sërish të shtunën se mbrojtja e Bayernit mund të thyhet lehtë pasi shënoi dy gola përpara se të humbiste përfundimisht 5:2.

Paraqitja e Union Berlinit ishte treguesi më i mirë pasi ekipi u rikthye në lojë përkundër një disavantazhi prej tre golave (3:0) në fillim të ndeshjes. Bayern përfundimisht fitoi, por Union Berlini dëshmoi se mbrojtja bavareze nuk është e frikshme si reparti i sulmit.

“Ne arritëm t’i shënonim dy gola dhe mund të kishim bërë ndoshta më shumë sikur të kishim sulmuar prej fillimit të ndeshjes. Megjithatë, Bayerni po del që nuk është i pathyeshëm”, tha trajneri i Berlinit, Urs Fischer.

Portieri i Bayernit, Neuer, ishte i zënë në të dyja ndeshjet për të ndihmuar mbrojtësit e tij që nuk ishin aspak stabilë. Madje Dayot Upamecano u trondit në Gladbach kur bavarezët pësuan tre gola brenda 20 minutave.

Edhe Rekordi negativ i portierit të Bayernit, Manuel Neuer Futboll Rekordi negativ i portierit të Bayernit, Manuel Neuer

“Me përjashtim të Neuerit, ishte një paraqitje shumë e dobët e të gjithë skuadrës. Në Gladbach luajtëm keq, por reaguam disi në kampionat ndaj Union Berlinit. Mirëpo, unë nuk kam përjetuar diçka të tillë më parë me Bayernin sikur atë që e përjetova në Gladbach”, ka pranuar sulmuesi i Bayernit, Thomas Mueller.

Megjithatë, Mueller tha se ishte shumë i lumtur pasi Bayerni reagoi pas humbjes ndaj Gladbachut duke shënuar pesë gola në fitoren ndaj Union Berlinit. Mueller pranoi se ata fituan vetëm falë golave të shpejtë që i shënuan.

“Ne e gjetëm përgjigjen e duhur për të reaguar me golat që i shënuam. Në fakt, ne duhet të vazhdojmë të shënojmë sa më shumë gola për të mos lejuar kundërshtarët të na rrezikojnë”, insistoi Mueller .

Sulmuesit e Bayernit tani kanë shënuar 38 gola në dhjetë ndeshje kampionale, një rekord në këtë fazë në Bundesligë. Robert Lewandowski shënoi dy gola të shtunën për të çuar numrin e golave ​​në ligë në 12. Lewandowski, i cili theu rekordin e Gerd Muellerit duke shënuar 41 gola edicionin e kaluar, tashmë ka 17 gola në 14 ndeshje në të gjitha garat, përfshirë pesë në Ligën e Kampionëve.

Për dallim prej kampionatit, mbrojtja e Bayernit nuk ka pranuar ende asnjë gol në Champions pasi skuadra ka mposhtur Barcelonën (3:0), Dynamo Kyivin (5:0) dhe Benfican (4:0). Bayerni mund të kalojë në raundin tjetër të martën me një tjetër fitore ndaj Benficas në Munich. Skuadra gjermane është duke pritur për gjendjen fizike të mbrojtësit Lucas Hernandez, i cili u largua herët të shtunën ndaj Union Berlinit pasi pësoi një goditje në gju.

Edhe Lojtarët e Bayernit synojnë më shumë rekorde Futboll Lojtarët e Bayernit synojnë më shumë rekorde

“Shpresojmë që ai të mund të luajë ndaj Benficas pasi është një lojtar i rëndësishëm”, tha ndihmëstrajneri Dino Toppmoeller, i cili ka qenë duke zëvendësuar Julian Nagelsmannin e infektuar me koronavirus.

Pas Benficas, Bayerni në vikend e viziton Freiburgun në Bundesligë. Freiburgu është i treti dhe ka një mbrojtje shumë të fortë, pasi ka pranuar vetëm shtatë gola deri më tani – po aq sa Neueri në dy ndeshjet e tij të fundit.