Sport

Bayerni fiton edhe ndaj skuadrës me mbrojtjen më të mirë

Bayern Munichu ka fituar edhe ndaj skuadrës me mbrojtjen më të mirë në Bundesligë.

Bavarezët të shtunën gjatë ditës mposhtën skuadrën e Freiburgut me rezultatin 2:1 në kuadër të xhiros së 11-të në Bundesligë dhe shënoi një tjetër rekord në elitën e futbollit gjerman. U bë skuadra e dytë që ka shënuar më së shumti gola brenda vitit kalendarik me 100 gola në Bundesligë. Këtë rekord e mban Koelni, që në vitin 1977 kishte shënuar 101 gola. Ky rekord mund të thyhet nga bavarezët.

Kjo fitore u arrit falë golave të realizuar nga Leon Goretzka dhe Robert Lewandowski.

Goretzka shënoi pas gjysmë ore lojë kur u asistua nga Thomas Muller. Sulmuesi polak ishte shënues i golit të dytë në minutën e 75-të. Për të ishte goli i 13-të sezonal në Bundesligë, derisa e ka edhe një asistim. 

Krejt çfarë arriti të bëj skuadra e Freiburgut ishte shënimi i golit nga Janik Haberer në minutën e dytë të kohës shtesë. Për ta kjo ishte humbja e parë e këtij edicioni.

Freiburgu në edicionin e sivjetmë ka pranuar vetëm nëntë gola, por Bayerni me sulmin më të mirë në ligë, ka shënuar 40 në total. Bayerni është edhe lider në ligë me 28 pikë.