Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mbrojtja e fortë e Freiburgut gati për ta ndalur hovin e Bayernit

Skuadra që shënon më së shumti gola në Bundesligë do të përballet me klubin që ka mbrojtjen më të fortë këtë edicion. Bayern Munichu, që është lider në tabelë, ka shënuar hiç më pak se 38 gola duke vendosur rekord deri në këtë fazë të sezonit. E sulmi i frikshëm i kampionit në fuqi të Gjermanisë, do të vihet në provë të shtunën nga Freiburgu që është në vendin e tretë. Freiburgu, gjithashtu është ekipi i vetëm i pamposhtur në ligë dhe që ka pranuar më së paku gola.

Në dhjetë xhiro të zhvilluara në Bundesligë, Freiburgu ka tubuar 23 pikë, dy më pak se Bayerni dhe ka pranuar vetëm shtatë gola. Freiburgu, i cili tradicionalisht njihet si ekipi që shet lojtarët e tij më të mirë çdo vit për të qëndruar i sigurt financiarisht, ka fituar gjashtë ndeshje dhe ka barazuar katër këtë sezon.

Për dallim prej Freiburgut, mbrojtja e Bayernit nuk ka qenë stabile këtë sezon. Skuadra ka pranuar nëntë gola në tre ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke përfshirë këtu edhe humbjen 5:0 nga Borussia Moenchengladbachu në kuadër të Kupës së Gjermanisë. Trajneri i Freiburgut, Christian Streich, pret një ndeshje “shumë të fortë dhe shumë cilësore” në stadiumin “Allianz Arena” në Munich.

“Shpresoj që edhe ne gjithashtu mund t’i përgjigjemi me forcë dhe cilësi skuadrës së Bayernit, duke u bazuar në aftësitë që i kemi treguar këtë sezon”, ka pranuar Streich.

Freiburgu nuk e ka mposhtur kurrë Bayernin në Munich. Skuadra arriti një barazim 1:1 në nëntor të vitit 2018, falë golit të shënuar në minutën e 89-të nga Lucas Hoeler. Barazimet më të hershme të Freiburgut ndaj Bayernit erdhën në vitet 1995 dhe 1997.

“Ne do të luftojmë dhe do të luajmë, dhe pastaj do të shohim se çfarë rezultati do të dalë prej angazhimit tonë në fushë”, tha Streich, i cili iu referua pozicionit të rehatshëm të ekipit të tij në renditje. “Është fantastike që ne jemi në gjendje të shkojmë në Munich pa pasur presion”.

Rreziku më i madh për Freiburgun në këtë ndeshje është sulmuesi i Bayernit, Robert Lewandowski, i cili duket se është në formë jetësore. Sulmuesi 33-vjeçar shënoi “hat-trick” në paraqitjen e tij të 100-të në Ligën e Kampionëve të martën, dhe ka shënuar 20 gola në 15 ndeshje për Bayernin këtë sezon.

Lewandowski theu rekordin e Gerd Muellerit në Bundesligë, duke shënuar 41 gola në ligë sezonin e kaluar dhe këtë edicion po synon sërish një shifër të tillë. Bayerni ka lëshuar pikë vetëm në dy raste deri më tani në Bundesligë, në humbjen e papritur ndaj Eintracht Frankfurtit dhe barazimin me Gladbachun. Disfata 5:0 nga në Kupën e Gjermanisë, do ta ndihmojë trajnerin Julian Nagelsmann ta motivojë skuadrën për shumë ndeshje në vazhdim. Freiburgu mund të jetë ekipi i radhës pas Union Berlinit dhe Benficas, skuadra që pësuan nga pesë gola prej Bayernit që nga humbja prej Gladbachut në Kupën e Gjermanisë.

“Ne jemi mjaft realistë dhe e kemi parasysh se po luajmë me një ekip të fortë si Bayerni”, tha mesfushori i Freiburgut, Nicolas Hoefler. “Megjithatë, ne shkojmë të motivuar duke u bazuar në formën që e kemi treguar deri më tani. Ne duam të bëjmë të pamundurën për të qenë të suksesshëm në këtë ndeshje, në të cilën na mjafton edhe një pikë”.

Artikuj të ngjashëm