Sulmuesi Marco Reus mund të largohet nga Borussia Dortmundi pas dhjetë vjetësh, ka raportuar “Sport1” të martën. Reus ka kontratë me Dortmundin deri në fund të këtij sezoni, ndërsa ende nuk ka nisur negociatat për ta vazhduar bashkëpunimin me klubin.
Edhe pse kontrata i skadon pas gjashtë muajsh, Reus nuk është i shqetësuar për të ardhmen e tij. Ai ka thënë se është i fokusuar ta mbyllë sezonin aktual dhe pastaj do të shohë të gjitha opsionet.
“Sigurisht, që po mendoj për të ardhmen. Kam edhe gjashtë muaj kontratë, por nuk jam i brengosur. Agjenti im merret me këtë çështje, pasi aktualisht fokusin e kam te klubi dhe synimet që i kemi për këtë sezon”, është shprehur Reus.
33-vjeçari është kapiten i Dortmundit, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2012.