Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja ka thënë se Polonia është favorite e grupit E. Ai ka thënë se Shqipëria dhe Çekia do të garojnë për vendin e dytë. Në grupin E bashkë me Shqipërinë, Çekinë dhe Poloninë janë edhe Ishujt Faroe dhe Moldavia.
“Janë skuadra që i njohim, janë skuadra të vështira, por mund të përballemi me ta. Kemi mundësi të mira me të gjitha këto skuadra nëse do të jemi në gjendje të mirë dhe nuk do të kemi mungesa si kohët e fundit. Polonia është e fortë, kjo dihet, por do të garojmë me Çekinë për vendin e dytë. Duhet të jemi të kënaqur me këtë grup, pasi kemi evituar emra të mëdhenj. Edhe Çekinë e njohim, pasi jemi përballur me ta në miqësore vitin e kaluar. Por, ne do të hasim vështirësi nëse do të luajmë si vitin e kaluar. Duhet të shmangim gabimet në ndeshjet e fundit”, tha Reja.
Reja nuk ka folur nëse do të mbetet edhe pas përfundimit të kontratës me Shqipërinë. Koment nuk ka dhënë as presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
“Këtu sot jemi për shortin dhe më pas do të diskutojmë për vazhdimin, siç e kemi bërë gjithnjë me trajnerin. Do të bisedojmë për më të mirën e Shqipërisë”, ka thënë Duka.