Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Regragui hapi shteg të ri në Kupë të Botës për trajnerët afrikanë

Selektori i Marokut, Walid Regragui, u bë trajneri i parë afrikan që udhëhoqi një ekip drejt çerekfinales së Kupës së Botës. Maroku e mundi Spanjën me penallti në një të tetën e finales, kurse Regragui arriti suksesin historik ani pse mori drejtimin e përfaqësueses vetëm në muajin gusht.

Regragui u zgjodh selektor përpara turneut, me futbollin maroken në trazira pasi trajneri i mëparshëm Vahid Halilhoxhiq u shkarkua për “mendime të ndryshme” me federatën e futbollit të Marokut.

Në shtatë ndeshje prej atëherë, Maroku ka qenë i pamposhtur, duke pranuar vetëm një gol. Në fakt ishte autogol në ndeshjen e fundit në grup kundër Kanadasë tashmë të eliminuar. Vetëm pesë muaj pasi u largua nga ekipi Wydad Casablanca, Regragui është bërë trajner ndërkombëtar për herë të parë dhe e ka bërë Marokun vendin e parë të Afrikës Veriore që arrin në tetëshen e fundit të Kupës së Botës. Një fitore kundër Portugalisë të shtunën do ta bënte Marokun skuadrën e parë afrikane që arrin në gjysmëfinale.

“Nëse mund ta bësh, mundesh, nëse jo, jo”, tha 47-vjeçari për hapjen e rrugëve të reja për një trajner afrikan apo arab. “Nuk ka lidhje me të qenit arab apo jo. Kam luftuar për këtë. Ndoshta kur të plakem do të jem krenar për këtë. Por, për momentin jam krenar kryesisht për vendin tim. Dhe me një trajner vendas është gjëja më e mirë për mua dhe për vendin tim”.

Skuadra e Regraguit luftoi shumë për të mbyllur hapësirën kundër Spanjës të martën në ndeshjen e parë në 1/8 e finales për Marokun që nga viti 1986. Trajneri ka parë që disa vendime të mëdha të shpërblehen muajt e fundit dhe taktikat e tij për t’i lejuar posedimin e topit Spanjës funksionuan si është më së miri. Maroku krijoi rastet më të mira në lojë, por nuk mundi t'i shfrytëzonte, përpara se Spanja të humbiste tri penallti, me portierin Yassine Bounou që ishte hero.

Edhe Marokenët shikojnë kah e ardhmja pas përfundimit të ëndrrës për titullin e botës Sport Marokenët shikojnë kah e ardhmja pas përfundimit të ëndrrës për titullin e botës

“Ne kishim rënë dakord që të mos merrnim posedimin e topit, jo nga frika”, tha ai. “Askush nuk kishte arritur t'ua merrte topin spanjollëve, kështu që unë pranova të mos e kishim topin, nuk jam magjistar. Ne punuam për katër ditë në këtë plan loje”.

Regragui nuk do të ishte në turne nëse trajneri i mëparshëm Halilhoxhiq, nuk do t'i kishte përjashtuar lojtarët Hakim Ziyech dhe Noussair Mazraoui për çështje disiplinore. Kjo e vuri boshnjakun në një luftë për pushtet me federatën dhe ai u shkarkua në mënyrë të diskutueshme.

Ishte hera e tretë që Halilhoxhiq kishte ndihmuar një skuadër të kualifikohej në Kupën e Botës, për t'u shkarkuar përpara turneut.

Regragui mori drejtimin dhe kujtoi menjëherë anësorin Ziyech të Chelseat dhe mbrojtësin e krahut të Bayern Munichut, Mazraoui, të cilët kanë rezultuar vendimtarë në ecurinë rekorde të Marokut.

“Unë kisha nevojë për të gjithë lojtarët dhe ata po e dëshmojnë veten në këtë turne”, tha ai.

Regragui ka lindur në Francë dhe kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij si lojtar atje. Ai regjistroi 45 paraqitje për Marokun. Vazhdoi të bënte emër si trajner në Afrikë, duke kaluar pesë vjet me ekipin FUS Rabat përpara se të bashkohej me Wydad pas një periudhe të shkurtër me Al Duhail në Katar.

“Diplomat e trajnerit i kam marrë në Francë, por është vendi im i origjinës që më dha një shans për të dëshmuar veten si trajner”, tha Regragui. “Më duhej t’ia ktheja federatës atë që më dha, besimin… që të mund të rritesha në Marok si trajner”.

Katërmbëdhjetë nga lojtarët në skuadrën e tij prej 26 lojtarësh në Katar kanë lindur jashtë Marokut, duke përfshirë Achraf Hakimin, i lindur në Madrid, i cili realizoi penalltinë fituese kundër Spanjës.

Edhe Plani i përkryer taktik i Marokut në rrugëtimin e jashtëzakonshëm Sport Plani i përkryer taktik i Marokut në rrugëtimin e jashtëzakonshëm

“Unë mendoj se ata të gjithë i treguan botës se çdo maroken është maroken”, shtoi Regragui. “Kur mblidhen me përfaqësuesen, ata duan të vrasin për Marokun. Kemi disa që kanë lindur në Holandë, Belgjikë, Francë, Spanjë. Çdo shtet ka kulturën e vet të futbollit, unë e kam përzier atë dhe kam arritur në çerekfinale”.

Portugalia do të presë në stadiumin “Al Thumama” pas fitores së thellë 6:1 ndaj Zvicrës në 1/8 e finales. Por Regragui me siguri do të ketë një plan për t'i ndalur edhe portugezët sikurse Spanjën.