Është 8 shtatori i vitit 2015. Skena është fusha stërvitore e Arsenalit. West Hami erdhi për një ndeshje të grupmoshës U-18.
Arsene Wenger, siç ka pëlqyer të bënte si trajner i Arsenalit, shikon me interesim. Duke bërë pushim nga detyra me skuadrën e parë, ai kalon 20 minuta duke studiuar, analizuar dhe vlerësuar. Kjo është pjesa e punës që e do më së tepërmi.
Ai më pas largohet nga fusha. Konkludimi i tij? Qendërmbrojtësi i West Hamit, Declan Rice është lojtari më i mirë në fushë.
Duke marrë parasysh se Rice është vetëm 16-vjeçar dhe ndeshja po luhet vetëm 19 muaj pas zhgënjimit të madh që përjetoi kur u lirua nga Chelsea si i padobishëm, tregon shumë për forcën mentale të të riut, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Tregon se ai jo vetëm që është rikuperuar, por ka punuar në pjesët më të dobëta të lojës së tij në masë aq të madhe saqë shkëlqeu ndaj kundërshtarëve më të vjetër të Arsenalit, që do të arrinim në gjysmëfinale të FA Cup për të rinj atë vit.
Por duke marrë parasysh mendimet e disa njerëzve që kanë punuar nga afër me Ricen gjatë zhvillimit të tij nga një shpresë deri te përfaqësuesja e Anglisë, kjo fortësi e tij nuk është befasuese.
Dëbimi nga Chelsea
Rice i ishte bashkuar Chelseat si tetëvjeçar. Ishte 14-vjeçar kur u lirua, ndërsa ngushëllimi i vetëm kishte ardhur nga një telefonatë 45-minutëshe që pati me mbrojtësin ikonik të Chelseat, John Terry. Në ditën tjetër ai shkoi në prova te Fulhami, fusha stërvitore e së cilës skuadër gjendej rreth 5 kilometra nga shtëpia e tij në Kingston-upon-Thames. Në ditën tjetër, ai pati një te West Hami, që ishte mbi 40 kilometra larg.
Atëherë, dhe edhe tash, me ndërrimin e përfaqësueses nga ajo e Irlandës tek Anglia, asnjëri nuk mund të akuzojë Ricen se ka zgjedhur opsionet e lehta.
Edhe pas kalimit te West Hami, rruga në karrierën e tij nuk kishte qenë krejt e drejtë dhe e lehtë. Në grupmoshën e tij, Rice ishte lojtari i vetëm që kishte një bursë, e të cilit nuk i ishte ofruar një marrëveshje profesioniste e garantuar në të njëjtën kohë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)