Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reali synon transferimin e Cavanit

Sulmuesi uruguaian, Edinson Cavani është futur në listën e gjerë të lojtarëve që mund ta zëvendësojnë Cristiano Ronaldon te Real Madridi.

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit është një ndër lojtarët më të rëndësishëm për klubin parisien, madje edhe një ndër më të preferuarit e presidentit Nasser Al-Khelaifi.

Pavarësisht dëshirës së Realit për të siguruar shërbimet e njërit mes Neymarit dhe Mbappes gjë që duket e vështirë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për “El Matador”, transmeton KP.

Uruguaiani ka një kontratë me kampionët e Francës që skadon në vitin 2020 dhe për ta lënë të lirë atë, PSG kërkon 100 milionë. Një shumë disi e lartë duke pasur parasysh edhe moshën e sulmuesit, i cili është 31-vjeç.

Sidoqoftë për këtë pjesë mes palëve mund të gjendet akordi për një shumë më të vogël, gjithashtu falë edhe dëshirës së Cavanit, i cili duket se e dëshiron kalimin te kampioni i Evropës.