Carlo Ancelotti ka një vendim për të marrë kur Espanyoli ta vizitojë Madridin të shtunën. Trajneri i Real Madridit mund të luajë me lojtarët e tij kryesorë për të pasur shanset më të mira për t’i dhënë fund çështjes së titullit të kampionit në La Liga, ose mund të fokusohet në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt, që luhet të mërkurën. Real Madridit i duhet vetëm një pikë nga pesë ndeshjet e tij të mbetura për të fituar një titull kampioni në La Liga, i cili do të jetë i 35-i. Kështu që, Ancelotti do të joshet t'u japë rezervave të tij një shans për të shkëlqyer ndaj Espanyolit duke ulur rrezikun për një dëmtim të parakohshëm të një lojtari kyç. Ancelotti duhet të dijë më mirë se kushdo se cila është zgjedhja më e mirë.
Në fund të fundit, 62-vjeçari italian është në prag për t'u bërë trajneri i vetëm që fiton tituj në pesë ligat kryesore të Evropës. Ai udhëhoqi Milanin drejt titullit në Serie A në vitin 2004, Chelsean në vitin 2010 në Premier League, Paris Saint-Germainin në Ligue 1 në vitin 2013 dhe Bayernin në Bundesligë në vitin 2017. Dhe, nëse Real Madridi mund ta kthejë humbjen që e pësoi 4:3 në City kur Pep Guardiola dhe lojtarët e tij vizitojnë Madridin, Ancelotti do të jetë një fitore larg nga një titull i katërt i Kupës Evropiane. Villarreali, gjysmëfinalisti tjetër i Spanjës në Ligën e Kampionëve, luan në Alaves të shtunën. Me Villarrealin në vendin e shtatë, trajneri Unai Emery ka të ngjarë të pushojë lojtarët e tij më të mirë përpara se të presë Liverpoolin të martën, pas humbjes 2:0 në ndeshjen e parë. Receta e suksesit të Ancelottit këtë sezon ka qenë e qëndrueshme me lojtarët e tij më të mirë dhe duke mbajtur një rotacion shumë të shkurtër.
Por me titullin kaq afër dhe duelin me Cityn në afërsi, kjo fundjavë duket si një kohë e përkryer për t'i lënë 36-vjeçarin Luka Modriq dhe 34-vjeçarin Karim Benzema të pushojnë. Benzema po kalon një sezon të kalibrit të “Topit të Artë”. Sulmuesi francez ka shënuar 41 gola në 41 ndeshje në total. Ai kryeson ligën spanjolle me 25 gola dhe ka shënuar tetë gola në raundet e eliminimit të Championsit, duke përfshirë dy ndaj Cityt. Kur ai nuk ka qenë në fushë, Real Madridi ka pasur vështirësi. E vetmja pengesë e skuadrës në ligë në vitin 2022 ishte humbja 4:0 nga Barcelonës kur Benzema ishte jashtë për shkak të një dëmtimi. Por Ancelotti mund ta lërë atë në stol dhe të startojë një nga rezervat e tij – një grup që përfshin Gareth Balen.
Espanyol mundi Real Madridin 2:1 në shtëpi në tetor. Por klubi me bazë në Barcelonë nuk ka fituar në Madrid që nga prilli i vitit 1996. Edhe nëse Espanyoli arrin të bëjë një përmbysje, Reali do të ketë ende katër ndeshje të tjera për të siguruar titullin përpara Barcelonës dhe Sevillas. Espanyol ka humbur të gjashtë ndeshjet kampionale që i ka luajtur në udhëtim këtë vit dhe pësoi një humbje 1:0 në shtëpi kundër Rayo Vallecano javën e kaluar. Megjithatë, mesfushori i Espanyolit, Yangel Herrera, tha se ekipi i tij mund të bëjë surprizën dhe të shtyjë festimet e Madridit.
“Ne do të konkurrojmë në maksimum kundër Real Madridit. Ne tashmë i mundëm ata në ndeshjen e parë kundër tyre këtë sezon, dhe ne duhet të dalim atje dhe ta shijojmë këtë lojë”, tha Herrera. “Ne duam t'u japim tifozëve diçka për të qenë të lumtur dhe të ndryshojmë ndjenjën që lamë në ndeshjen e fundit”.
Real Madridi ka luajtur si një kampion në pritje për disa javë, pasi rivalët e tij më të afërt gabuan vetë.
Edhe
Barcelona luan për titull, Reali për ta hapur garën
Barcelona kishte një fije shprese pas fitores së saj në “Santiago Bernabeu” muajin e kaluar, por që ajo u shua me humbjet në shtëpi kundër Cadizit dhe Rayo Vallecanos. Shto një humbje nga Eintracht Frankfurti në Ligën e Evropës dhe Barcelona ka tri disfata rresht në të gjitha garat në të njëjtin sezon për herë të parë ndonjëherë në “Camp Nou”.
Tani skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez duhet të sigurojë një vend që dërgon sezonin tjetër në Champions për të shmangur një goditje tjetër për reputacionin e klubit dhe financat e tij të dobëta.
Atletico Madridi është dy pikë prapa në vendin e katërt, por Real Betisi dhe Real Sociedad janë në distancë goditëse. Synimi i parë i Barcelonës të dielën kur e pret Mallorcan do të jetë për të rifituar tifozët e saj të pakënaqur, të cilët shanë ekipin pas humbjes së fundjavës së kaluar nga Rayo. Atletico viziton Athletic Bilbao të shtunën, duke kërkuar të ruajë diferencën prej katër pikësh ndaj Betis, fituesit të Kupës së Mbretit.